Published on: 08/12/2022
Urimi i ministres Muzhaqi në Ditën e Rinisë: Me punë e përpjekje, çdo gjë mund të arrihet!
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, nëpërmjet një video të publikuar në mediat sociale, ka përcjellë urimet e saja për të gjithë rininë shqiptare, në kuadër të Ditës Kombëtare të Rinisë.
“Të rinjtë shqiptar janë evropian dhe e ardhmja e shqiptarëve s’ka qenë kurrë më e sigurt, si pjesë e familjes së madhe Evropiane”, tha Muzhaqi.
Ndërsa theksoi se “të gjithë ne mund të japim kontributin tonë për ta bërë botën një vend më të mirë”, ajo iu ka bërë thirrje të rinjve të mos lejojnë askënd t’iu diktojë çfarë mund apo nuk mund të arrijnë, “pasi me vullnet dhe përpjekje çdo gjë arrihet!”.
“Të jesh i ri do të thotë të kesh energjinë, fuqinë dhe kurajon të ndryshosh botën”, shprehet ministrja e përgjegjëse e Rinisë, “dhe ndryshimi i botës fillon nga familja juaj”.
Një sërë aktivitetesh do të zhvillohen përgjatë kësaj dite, që nga ceremonia përmbyllëse e titullit të Tiranës- Kryeqytetit Evropian i Rinisë, koncerti “Thuaja RINI” me nxënësit e shkollave artistike, debati me të rinjtë e gjimnazit “Ismail Qemali” dhe studentët e Universitetit të Drejtësisë, e deri te përgatitjet për festën e madhe që do të mbahet me 10 mijë nxënësit e skuadrave të volejbollit dhe basketbollit, të ngritur në kuadër të Programit Kombëtar të Ekipeve Sportive.