Published on: 18/05/2022
Të rinjtë në teknologji- Ministrja e Rinisë takon themeluesin e kompanisë “IntelyCare”
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, të enjten e 18 majit, ka rikonfirmuar mbështetjen e të rinjve në fushën e teknologjisë së informacionit duke u takuar me themeluesin e kompanisë IntelyCare Albania, Ike Nnah, dhe menaxherin e Përgjithshëm, Fatos Xhabrahimi, në Tiranë.
Ky takim i ministres Muzhaqi vjen në kuadër të programeve për fuqizimin e rinisë nëpërmjet krijimit të më shumë mundësive të punësimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të njohurive në këtë sektor.
Kompania IntelyCare, e vendosur në Shqipëri prej 10 muajsh, është një nga qendrat më të mëdha të teknologjisë në Tiranë, e cila investon në trajnim, edukim dhe aftësimin profesional të të rinjve dhe jo vetëm.
Edhe më herët, ministrja e Rinisë ka ritheksuar se Qeveria shqiptare do të mbështesë të rinjtë në fushën e teknologjisë së informacionit dhe rritjen e numrit të programuesve të nevojshëm për Shqipërinë.
Në vitin 2022, për të rinjtë në fushën e TIK që kanë nevojë për trajnime të mëtejshme për të thelluar njohuritë apo për ata të rinj që duan të ndryshojnë drejtimin e tyre në karrierë, do të ofrohen bursa për kurse intensive në fushat e teknologjisë.
Kurset do të mundësohen nga aktorë me eksperiencë në treg që përmbushin disa kritere të nevojshme për të siguruar cilësinë e trajnimeve që përftojnë të rinjtë. Specializimet janë afatshkurtra e do të zgjasin 4-12 muaj, por në mënyrë intensive, duke qenë se synimi për këtë projekt është që të rinjtë e diplomuar nga këto kurse të jenë të aftë për tregun e punës.
Ndër të tjera, kjo kompani kontribuon me shërbime në lidhje me krijimin dhe shkrimin e kodeve dhe gjuhës së IT-s, krijimin e software-ve dhe gjithë shërbimeve të lidhura me këtë fushë.
Tashmë, IntelyCare ka punësuar dhjetëra të rinj shqiptar të diplomuar në teknologji të informacionit për zhvillimin e programeve software-ike, si dhe ka ofruar shumë mundësi trajnimi profesional në këtë drejtim. Kompania planifikon të shumëfishojë numrin e të rinjve të punësuarve në muajt në vazhdim. Ndërsa rëndësia e kësaj kompanie shkon përtej oqeanit, duke bërë shërbime për organizatat shëndetësore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”