Published on: 30/01/2023

Takim me të rinjtë në qytetin e Korçës në kuadër të Programit të Kodimit

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi zhvilloi një takim me të rinjtë e qytetit të Korçës në kuadër të Programit të Kodimit për të Rinjtë, i cili çeli aplikimet në 23 janar për të gjithë të apasionuarit pas teknologjisë të informacionit.

Ministrja Muzhaqi u shpjegoi të rinjve mbi mënyrën si funksionon programi dhe u bëri thirrje të aplikojnë në program në mënyrë që të profesionalizohen dhe të bëhen pjesë e tregut të punës shqiptar, por edhe atij ndërkombëtar.

“Programi i Kodimit, numëron tashmë mbi 1000 aplikime. Nëse dhe ti je një i ri/e re i/e interesuar, aplikimet vijojnë në portalin e-Albania, mund të aplikosh duke kërkuar ‘Aplikim për Kursin e Formimit Profesional me mbështetje financiare’. Bëhu dhe ti pjesë e revolucionit teknologjik”, u shpreh Muzhaqi teksa u bëri edhe një herë thirrje të rinjve që të aplikojnë në programet e kodimit.

I pranishëm në takim ishte edhe kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo si edhe përfaqësues nga katër akademitë e kodimit e kualifikuara deri më tani nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA): Albanian ICT Academy, Betaplan Coding Bootcamps, Holberton School dhe Software Development Academy by Protik; ishin të pranishëm gjithashtu përfaqësues nga Zyra e Punës Korçë dhe të rinj të moshave të ndryshme.

Pas prezantimit të programit, Muzhaqi u la vend akademive të kodimit t’u shpjegonin të rinjve programet që ata ofrojnë dhe çfarë mund të përfitojnë të rinjtë prej tyre.

Në vijmësi të takimit, të rinjtë vizituan stendat e akademive të kodimit për t’u informuar më shumë mbi programet që ofron secila prej akademive duke e pasur kështu më të lehtë për të bërë zgjedhjen e duhur.

Për të gjithë të rinjtë që nuk kanë aplikuar ende, aplikimet janë të hapura në shërbimin “Aplikim për Kursin e Formimit Profesional” në e-Albania.

Link-u i aplikimit:
https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=15126