Published on: 18/04/2025
Prezantimi i programeve prioritare për të rinjtë/ Muzhaqi: “Me Nismat Komunitare dhe Talentet Rinore, mbështesim qindra të rinj në projekte zhvillimi dhe përfaqësim të Shqipërisë në kompeticione ndërkombëtare”

Nga Demokracia Rinore te Inovacioni, nga Startup-et te Garancia Rinore dhe Mbështetja Studentore, kështu nisi takimi i zhvilluar nga Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, në sheshin “Italia”, me pjesëmarrjen e nxënësve, studentëve dhe profesionistëve të rinj. Në këtë aktivitet u prezantuan politikat dhe programet prioritare të Qeverisë së Shqipërisë në mbështetje të të rinjve, ku të pranishme ishin edhe Ministrja për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ministrja Muzhaqi theksoi se mbështetja për të rinjtë me programe konkrete është një mënyrë për të shpërblyer kontributin dhe angazhimin e tyre në fusha të ndryshme të jetës shoqërore.
“Kemi disa shtylla shumë të rëndësishme ku Qeveria investon për të rinjtë. Një prej tyre është demokracia dhe pjesëmarrja e tyre në vendimmarrje. Kemi ndërtuar 61 Këshilla Rinorë Vendorë dhe Këshillin Kombëtar Rinor, ku të rinjtë mund të angazhohen realisht në vendimmarrje dhe të zhvillojnë takime me kryetarët e bashkive për të diskutuar mbi politikat që prekin komunitetin e tyre. Kemi gjithashtu Këshillat Studentorë dhe Parlamentin e Nxënësve – mekanizma të rëndësishëm për t’i dhënë zë dhe rol aktiv brezit të ri,” u shpreh Muzhaqi.
Më tej, ajo ndaloi te ndryshimet në Ligjin për Rininë, duke prezantuar tre programe të reja që fuqizojnë mbështetjen për të rinjtë.
“Me Programin e Nismave Komunitare do të ofrojmë financim të dedikuar për veprimtarinë e strukturave rinore, si Këshillat Vendorë Rinorë dhe Këshillin Kombëtar Rinor, për projekte të drejtuara nga të rinjtë për të rinjtë. Do të mbështesim rreth 500 të rinj çdo vit me projekte konkrete që ndikojnë në zhvillimin e komuniteteve,” deklaroi ministrja.
Duke iu referuar nevojës për mbështetje të talenteve të reja që përfaqësojnë Shqipërinë jashtë vendit, Muzhaqi shtoi: “Shumë të rinj që kanë fituar konkurse apo olimpiada ndër vite kanë trokitur në dyert e Ministrisë për më shumë mbështetje. Me Programin e Talenteve Rinore, do të mbulojmë kostot e transportit dhe akomodimit për pjesëmarrjen e tyre në kompeticione ndërkombëtare në art, kulturë, shkencë, teknologji dhe sport. Çdo vit, rreth 200 të rinj do të përfitojnë nga ky program.”
Në vijim, Muzhaqi theksoi rëndësinë e Garancisë Rinore dhe Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, të cilat synojnë lehtësimin e kalimit të të rinjve nga arsimi në tregun e punës.
“Programi i praktikave të punës dhe garancia janë mundësi konkrete për të ndihmuar të rinjtë të zhvillojnë karrierën e tyre dhe të gjejnë drejtimin profesional që u përshtatet më mirë. Keni mundësinë të provoni fusha të ndryshme dhe të gjeni veten aty ku ndiheni më të përmbushur,” u shpreh ajo.
Ministrja vuri theksin edhe te investimet në teknologji, si një nga drejtimet kryesore të zhvillimit për të rinjtë. “Teknologjia është bërë pjesë thelbësore e realitetit tonë dhe pa të rinjtë nuk kuptohet dot e ardhmja. Kemi investuar në qendra si TUMO dhe Piramida, si dhe në programet e kodimit në shkolla apo qendrat rinore,” përfundoi Muzhaqi.