Published on: 12/06/2023

Përmbushet me sukses Programi i Ekipeve Sportive për vitin shkollor 2022-2023

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Pas një rrugëtimi të gjatë dhe të suksesshëm për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë e përfshirë në Programin e Ekipeve Sportive, përgjatë muajit qershor është zhvilluar Kampionati Kombëtar i Ekipeve Sportive në shkolla, i cili përkon njëkohësisht edhe me përmbushjen e programit për vitin shkollor 2022-2023.

Programi i Ekipeve Sportive në Shkolla ka filluar zbatimin në shtator të vitit 2022 dhe janë përfshirë mbi 10 mijë nxënës pjesë e 700 skuadrave të volejbollit e basketbollit nga e gjithë Shqipëria, të cilët janë stërvitur rregullisht tre herë në javë nga trajnerë profesionistë për kampionatin në nivel bashkie, qarku dhe nivel kombëtar për shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet. Përgjatë këtij viti shkollor ky program iu ka ofruar të rinjve mundësinë që në orët mbas mësimit të përfshihen në aktivitete sportive të organizuara në volejboll dhe basketboll, duke u larguar kështu nga zakonet jo të mira që sjellin pasivitet si dhe duke promovuar mirëushqyerjen për jetesën e shëndetshme. Ndër të tjera, programi i Ekipeve Sportive në shkolla ka ndihmuar në evidentimin e talenteve të fëmijëve dhe të rinjve përgjatë ndeshjeve të kampionateve.

Në kuadër të Programit Kombëtar të Ekipeve Sportive, Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi përgjatë vitit shkollor 2022-2023 ka zhvilluar një sërë takimesh me të rinjtë e ekipeve sportive në qytetet ku aplikohet programi, për të parë nga afër zbatimin e programit dhe për të takuar fëmijët dhe të rinjtë sportdashës të ekipeve të volejbollit dhe basketbollit.

Përgjatë muajit mars dhe prill është zhvilluar kampionati në nivel bashkie, pasur nga ai në nivel qarku në muajin maj, për volejboll dhe basketboll për djem dhe vajza të shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve. Ministrja Muzhaqi ka marrë pjesë rregullisht në ndeshjet e kampionateve, për të ndjekur ecurinë e programit dhe për dorëzimin e medaljeve dhe kupave për ekipet fituese.

Pas finalizimit të kampionateve në nivel bashkie dhe qarku, në muajin qershor u zhvillua Kampionati Kombëtar për vitin 2022-2023 në të dyja disiplinat, basketboll dhe volejboll, nga ku u shpallën fituese 8 ekipe:

1. Ekipi i vajzave të qarkut Vlorë për shkollat 9-vjeçare në disiplinën volejboll
2. Ekipi i djemve të qarkut Tiranë për shkollat 9-vjeçare në disiplinën volejboll
3. Ekipi i vajzave të qarkut Shkodër për shkollat 9-vjeçare në disiplinën basketboll
4. Ekipi i djemve të qarkut Korçë për shkollat 9-vjeçare në disiplinën basketboll
5. Ekipi i vajzave të qarkut Fier për shkollat e mesme në disiplinën volejboll
6. Ekipi i djemve të qarkut Durrës për shkollat e mesme në disiplinën volejboll
7. Ekipi i vajzave të qarkut Tiranë për shkollat e mesme në disiplinën basketboll
8. Ekipi i djemve të qarkut Tiranë për shkollat e mesme në disiplinën basketboll

Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, së bashku me Komitetin Olimpik Shqiptar dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit kanë filluar me planifikimin për zgjerimin e programit Ekipet Sportive në Shkolla për vitin shkollor 2023-2024.