Published on: 05/04/2022
Nxënësit shqiptarë mirëpresin ato të Bosnjë dhe Hercegovinës në kuadër të projektit të shkëmbimit “Super-shkollat”
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, të mërkurën e 6 prillit, ka marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga nxënësit e gjimnazit “Qemal Stafa” për të mirëpritur shkollën mike “Meša Selimović” të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Kjo në kuadër të projektit “Supershkollat” të iniciuar nga Zyra Rajonale për Bashkëpunimin Rinor (RYCO), nëpërmjet të cilit zhvillohen shkëmbime rinore mes nxënësve të Ballkanit Perëndimor dhe nxënësve të Shqipërisë, me qëllim ndarjen e informacioneve, vlerave e traditave, si dhe të mësuarit më shumë për vendet respektive.
Në aktivitetin e mbajtur pranë këtij gjimnazi, të rinjtë kishin organizuar dhe një panair me punime nga klubet e fizikës, arteve, letërsisë, teknologjisë, ekonomisë, historisë, shahut etj..
Gjithashtu, për të rinjtë e këtij programi nga shkolla e Bosnjë dhe Hercegovinës, nxënësit ofruan një tablo të kulturës shqiptare nëpërmjet videove, pikturave, këngëve dhe valleve.
Në fjalën përshëndetëse, ministrja e Shtetit falënderoi nxënësit e të dyja vendeve respektive për bashkëpunimin mes njëri-tjetrit, ndërsa tregoi se ka pasur tepër interes nga shkollat e rajonit.
“Kanë aplikuar 32 shkolla për të marrë pjesë në projektin e Superschool dhe janë shpallur fituese 11 prej tyre”, tha ajo.
Po ashtu, Muzhaqi iu ka bërë thirrje nxënësve dhe mësuesve nga Shqipëria dhe Bosnjë dhe Hercegovina që të ndajnë vlerat e tyre kulturore, si dhe të shkëmbejnë eksperiencat e tyre me të rinjtë nga i gjithë rajoni.
Ky program vjen në mbështetje për procesin e ndërtimit të paqes dhe pajtimit, si dhe për të mësuarit ndërkulturor e bashkëpunimin mes shkollave, studentëve dhe komuniteteve të tyre.
Projekti kontribuon në objektivin e përgjithshëm për rritjen e aftësive dhe njohurive të të rinjve në Ballkanin Perëndimor duke përmirësuar sistemet arsimore dhe duke promovuar bashkëpunimin në rajon, përmes krijimit të një skeme rajonale të shkëmbimit të shkollave.
Në përmbyllje ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët nuk ka harruar pa sjellë në vëmendjen dhe Strategjinë Kombëtare të Rinisë 2022-2027, për të cilën tha se janë zhvilluar mbi 30 takime me të rinjtë nga gjithë Shqipëria duke u finalizuar me draftin e parë të saj.