Published on: 07/04/2022

Nga konferenca e KE-së, Muzhaqi: Shqipëria, progres në masat e marra për mbrojtjen dhe mbështetjen e fëmijëve

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, ka marrë pjesë në konferencën për prezantimin e Strategjisë së Re të Këshillit të Evropës për të Drejtat e Fëmijës, mbajtur në Romë, Itali, më 7-8 prill.

Në fjalën e rastit, ministrja e Shtetit ka theksuar dhe një herë se fëmijët qëndrojnë në qendër të vizionit për Shqipërinë 2030, duke iu siguruar atyre mbrojtjen dhe mbështetjen e nevojshme për të zhvilluar më tej potencialin e tyre.

Përgjatë dy ditëve, përfaqësues të nivelit të lartë nga 46 vendet anëtare të Këshillit të Evropës u bënë bashkë për të drejtuar punimet në arritjen e gjashtë objektivave strategjike për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijës.

Nga Konferenca e nivelit të lartë “Përtej horizontit: Një epokë e re për të drejtat e fëmijës”, Muzhaqi tha se Shqipëria ka bërë përparime drejt plotësimit dhe zbatimit të kuadrit ligjor dhe politikave që synojnë promovimin e të drejtave të fëmijëve në sektorin e arsimit, drejtësisë, shërbimeve sociale, shëndetësisë dhe kulturës.

Në përgatitjen e Strategjisë Kombëtarë të Rinisë 2022-2029, referuar objektivit të parë strategjik “Jepi zë çdo fëmije”, Muzhaqi tha se janë përfshirë mbi 1 mijë të rinj nga Shqipëria. Kurse, me Strategjinë Kombëtare të Arsimit 2021-2026, ajo tha se “i kemi dhënë fokus të veçantë gjithëpërfshirjes dhe barazisë nëpërmjet hapave konkrete”.

Për mundësi të barabarta dhe përfshirje sociale për të gjithë fëmijët, ministrja i Shtetit deklaroi nga foltorja e konferencës se, në sistemin arsimor shqiptar, janë integruar mësuesit ndihmës dhe janë zhvilluar më tej programet jashtëshkollor.

Po ashtu ka sjellë në vëmendje se, Shqipëria është pjesë e takimeve periodike të komiteteve të Këshillit të Evropës për të drejtat e Komitetit Drejtues të Fëmijëve për të Drejtat e Fëmijëve (CDENF) dhe Komitetit Lanzarote.

Një nga objektivat kyçe të këtyre punimeve, në konferencën e mbajtur për Strategjinë e Re të Fëmijës ishte dhe përdorimi i sigurt i teknologjisë te fëmijët. Për të cilën ministrja tha se kurikula e re e kodimit në klasë të parë dhe mësimi i sigurisë në rrjet është një nga qëllimet e qeverisë për t’i përgatitur fëmijët për sfidat e shekullit të 21-të.

Ndërsa prezantoi dhe kuadrin ligjor të Shqipërisë për mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimi apo shfrytëzimi ndaj tyre, ajo vuri në dukje miratimin e Kodit të  Drejtësisë Penale për të Miturit, i cili parashikon se dënimi me burg jepet vetëm si mjet i fundit për të miturit.

Sakaq ka bërë të ditur për përfaqësuesit e lartë të Evropës se, në vendin tonë, janë ngritur tre qendra për mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve viktima të dhunës dhe abuzimit seksual, sipas modelit evropian “Barnahus”.

Për të drejtat e fëmijëve në situatë krize dhe emergjence, Muzhaqi solli në vëmendje situatën në Ukrainë, duke bërë thirrje që mbështetja e Këshillit të Evropës dhe vendeve anëtare duhet të vijojë për Ukrainën dhe sidomos për fëmijët ukrainas.

Këshilli i Evropës krijoi programin “Ndërtimi i një Evrope për dhe me Fëmijët”, 16 vite më parë, për të rritur angazhimin e saj ndaj fëmijëve dhe të drejtave të tyre.

Strategjia e re për të Drejtat e Fëmijës (2022-2027), e miratuar nga Komiteti i Ministrat e Këshillit të Evropës më 23 shkurt 2022, për herë të parë u përgatit zyrtarisht nga Komiteti Drejtues për të Drejtat e Fëmijëve (CDENF) i cili gjithashtu do të mbikëqyrë zbatimin e saj përgjatë gjashtë viteve të ardhshme.