Published on: 29/04/2022

Muzhaqi nga Kuvendi: Deputetët duhet të përcjellin shembuj të sjelljes së mirë për rininë dhe fëmijë tanë

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

“Çdo deputet ka detyrën thelbësore të përcjellë shembuj të mirë për të gjithë të rinjtë që, nëpërmjet politikëbërjes, duan të kontribuojnë në vendin e tyre”.

Kështu është shprehur ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, në seancën parlamentare të 28 prillit, ndaj sjelljes së deputetes Ina Zhupa kundrejt ministres së Kulturës, Elva Margariti, në Komisionin për Edukim.

“Ia kemi borxh këtij brezi të ri që të bëjmë më të mirën për ta, pasi janë e tashmja dhe e ardhmja e Shqipërisë”, tha ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, nga foltorja e Kuvendit

Ndërsa i cilësoi veprimet e deputetes si “jashtë etike”, Muzhaqi deklaroi se duke mos e dënuar këtë sjellje po u japim fëmijëve dhe të rinjve tanë një shembull jo të mirë për t’u ndjekur.

“Ky model nuk mund dhe nuk duhet të pranohet nga askush dhe askund”, tha ajo, “aq më tepër në Kuvendin e Shqipërisë”.

Në përmbyllje, ndërsa theksoi se sjellja dhe edukata janë parime bazë që iu mësojmë fëmijëve që në hapat e tyre të parë, Muzhaqi tha se këto parime dhe norma bazike nuk duhet të shkelen, aq më tepër në institucionin më të lartë të vendit nga përfaqësuesi i zërit të qytetarëve.