Published on: 22/06/2023
Muzhaqi: Mbështesim të rinjtë, së shpejti nis zbatimi i garancisë rinore. Trajnime, kurse profesionale me mbështetjen e shtetit ose punësim për të rinjtë në situatë vulnerabël
Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi foli në kuvend për projektligjin për nxitjen e punësimit dhe atë të strehimit social. Në fjalën e saj, Muzhaqi tha se ky është një projektligj i rëndësishëm që synon mbështetjen e të rinjve në situatë vulnerabël, ndërsa projektligji i strehimit social i ndihmon të sigurojnë banesën e tyre të parë.
Ministrja shpjegoi se me miratimin e projektligjit për nxitjen e punësimit sigurohet edhe baza ligjore për ngritjen e skemës së garancisë rinore në vend, e cila adreson nevojat e të rinjve shqiptarë të cilët nuk janë as në punë, as në shkollë dhe as nuk kanë një formim profesional.
Muzhaqi theksoi se programi i garancisë rinore do të nisë zbatimin vitin e ardhshëm dhe synon formimin dhe aftësimin e të rinjve sipas nevojave të tregut të punës.
Të rinjtë që do të regjistrohen në zyrën e punësimit, brenda 4 muajve do t’u sigurohet një ofertë e vlefshme në përputhje me nevojat individuale, do t’u ofrohet ose trajnim ose edukim i mëtejshëm me mbështetjen e skemës ‘Voucher’ dhe në rastin e të rinjve të arsimuar, por të papunësuar do t’u ofrohet mundësi punësimi.
Ministrja Muzhaqi u ndal edhe tek Programi i Kodimit, në kuadër të të cilit qeveria jep mbështetje për të rinjtë, në masën 100% por edhe 50%. Ndalur në shifra, Muzhaqi tha se në 5 muaj ka pasur mbi 3000 aplikime, prej të cilave 524 të rinj kanë filluar tashmë kurset e programimit dhe kodimit.
FJALA E PLOTË E MINISTRES MUZHAQI NË KUVENDIN E SHQIPËRISË
E nderuar Kryetare e Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Është e trishtë të dëgjosh kolegët në fakt që as nuk dëgjojnë dhe as nuk lexojnë dhe mbi të gjitha përmendin dhe fjalën kozmetikë për një ligj dhe për një skemë reformuese që nuk po e bën vetëm Shqipëria, e bën i gjithë Bashkimi Evropian e për më tepër ka dhe rezultate shumë të mira kur zbatohet.
Edhe me qenë se ra fjala, edhe strategji për rininë kemi është 2022-2029, edhe strategji për punësimin dhe aftësimin kemi. Edhe kjo është e miratuar. Duhet t’i lexojmë njëherë strategjitë, t’i kuptojmë edhe masat edhe politikat që ata përcaktojnë se ndryshe pastaj nuk dimë t’i diskutojmë. Dhe kjo është e rëndësishme që ta bëjmë të gjithë ne, sidomos nëse jemi këtu duke bërë një debat konstruktiv.
Unë në ndryshim me kolegët mendoj në fakt që sot është një ditë shumë e rëndësishme, ku ne hedhim një hap shumë të rëndësishëm për të rinjtë shqiptarë, qoftë me projektligjin për nxitjen e punësimit, qoftë me projektligjin për strehimin social, sepse të dyja përbëjnë dy hallka shumë kyçe për mekanizmat që shteti po ngre në mbështetje të të rinjve në vend.
Së pari, kur flasim për projektligjin për nxitjen e punësimit ky siguron një bazë ligjore për ngritjen e skemës së garancisë rinore në vend. Skema e garancisë rinore, që nuk po hartohet vetëm nga ne, po hartohet në bashkëpunim me ekspertizën më të mirë të Bashkimit Evropian dhe adreson drejtpërdrejtë nevojat e të rinjve shqiptare të cilët nuk janë as në punë, në shkollë apo duke ndjekur një program trajnimi.
Kjo skemë në vetvete synon, që pasi të identifikohen të gjithë të rinjtë sipas rasteve të tyre individuale, të ketë mundësi që të sigurohet nga ana e shtetit mbështetja dhe një ofertë e vlefshme punësimi, shkollimi apo formimi profesional, brenda 4 muajve të përfshirjes se një të riu në skemë. Dhe aktualisht qëndron se janë rreth 130.000 të rinj, ose 27% e numrit total të të rinjve në vend, që i përkasin kësaj kategorie, normë kjo, ndryshe nga çfarë u tha këtu që është më u ulët se mesatarja e vendeve të Ballkanit perëndimor, përtej kësaj mbetet pak më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, prandaj dhe është e rëndësishme që ta adresojmë sot.
Këto të rinj përbëjnë dhe pjesën me të cënueshme dhe janë në kushte më të vështira të të gjithë të rinjve në vend, prandaj dhe programi i garancisë rinore, i cili do të fillojë zbatimin vitin e ardhshëm, përbën një nga programet me ndikimin më të drejtpërdrejtë dhe me të gjerë në numër përfituesish të përgatitura ndonjëherë për të rinjtë, duke iu përgjigjur edhe nevojave kryesore të artikuluara nga vetë ata, atë të formimit dhe aftësimit sipas nevojave të tregut të punës dhe sigurimin e punësueshmërisë së tyre.
E në këtë kuadër, meqenëse folëm më parë për inteligjencën artificiale, për kodimin, programimin dhe për të gjithë fushat e të ardhmes, duhet t’ju them që ne kemi një tjetër program që ka nisur zbatimin në janar të vitit 2023 dhe është në linjë me parashikimet e këtij projektligji. Programit i Kodimit për të rinjtë i mundëson çdo të riu mbi 16 vjeç ndjekjen e kurseve intensive të formimit profesional për zhvillimin e aftësive dhe kompetencave digjitale. Me anë të këtij programi, qeveria shqiptare ofron 100% mbështetje për ndjekjen e kurseve të programimit, për punëkërkuesit e papunë, dhe një mbulim 50% të pagesës së kursit, në linjë me konceptin Voucher ose të kuponit të prezantuar në këtë projektligj, për të gjithë studentët apo të rinjtë në marrëdhënie pune që duan të thellojnë njohuritë e tyre në fushat e programimit dhe kodimit apo duan edhe të ndryshojnë drejtimin e karrierës në përputhje me zhvillimet e tregut të punës.
Ky program është mirëpritur nga të rinjtë, siç vërtetohet edhe nga shifrat, se shifrat flasin më mirë se fjalët. Edhe në fakt për 5 muaj kemi pasur mbi 3000 aplikime, prej të cilave 524 të rinj kanë filluar tashmë kurset e programimit dhe kodimit dhe për t’u përfshirë në fushat e të ardhmes, jo vetëm të Shqipërisë por të gjithë botës. Suksesi i shpejtë i këtij programi, na bën vërtetë besimplotë dhe na nxit të punojmë edhe me tepër për miratimin e këtij projektligji dhe fillimin e zbatimit të garancisë rinore, ku edhe oferta e kurseve intensive të aftësimit dhe formimit profesional për të rinjtë do të thellohet dhe të zgjerohet më tej, për të gjithë ato fusha profesionesh dhe sektorësh që do të jenë shtyllat e zhvillimit të vendit për dekadën e ardhshme.
E së dyti, doja të ndalesha pak te projektligji për strehimin social që adreson një nga nevojat më të mprehta për të rinjtë dhe familjet e reja, atë të sigurimit të një strehimi të përballueshëm. Strehimi i familjeve të reja përbën ne vetvete një vështirësi, por është kthyer gati e papërballueshme dhe e pa mundur gjatë dy viteve të fundit me rritjen e normave evropiane të referencave të kredisë. Prandaj dhe nisma e qeverisë për të mbështetur një pjesë të kostos së kredisë dhe siguruar strehimin e përballueshëm të familjeve të reja, të të rinjve dhe punonjësve të administratës publike që kanë shpenzuar kohë e kapital për t’u shkolluar dhe që kontribuojnë çdo ditë në ekonominë e vendit dhe jo vetëm, është një mbështetje e drejtë dhe e nevojshme për këta të rinj dhe përbën në vetvete një garanci, vijimin e kontributit të tyre, për të tashmen dhe të ardhmen e vendit.
E sigurisht në linjë me çdo masë që ndërmarrim, edhe kjo mundësi do të ofrohet online duke ua bërë procesin edhe me të lehtë dhe pa andralla administrative të rinjve që duan të krijojnë familjen e tyre dhe të kenë mundësinë e një shtëpie.
Të nderuar deputetë, paçka se mundësitë tona nuk na lejojnë që oferta jonë për të rinjtë të jetë aq tërheqëse se ajo e vendeve si Britania e madhe apo Gjermania, është e domosdoshme, që ne së bashku ta bëjmë garancinë rinore realitet, pasi përvoja evropiane ka dëshmuar dhe ka prodhuar rezultate kudo që është zbatuar. Ne duhet të sjellim në jetë këto rezultate, për të mbrojtur të rinjtë tanë nga joshja e asaj çfarë rezervon emigracioni i pasigurt.
Prandaj ju ftoj të votoni pro projektligjit për nxitjen e punësimit dhe pro projektligjit për strehimin social. Kjo votë pro, shkon në të mirë të punësimit dhe strehimit të të rinjve, në përmirësimin e kushteve të jetesës së çdo të riu dhe mbështet të ardhmen e vendit. Le të bëjmë secili të veten dhe punojmë të gjithë së bashku për të mbështetur të rinjtë tanë.