Published on: 01/11/2022

Muzhaqi çon në Komision shifrat buxhetore për rininë, Duma ndërpret seancën dëgjimore

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, e thirrur në Komision për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, ka listuar të gjitha shifrat për buxhetimin për Rininë, referuar vitit 2023 dhe programet e Qeverisë Shqiptare që lidhen në mënyrë direkte me të rinjtë dhe fëmijët.

Kjo pasi një ditë më parë, kryetarja e Komisionit, Grida Duma, i ka kërkuar me ngulm ministres që t’i prezantojë këto të dhëna para deputetëve, anëtarë të këtij Komisioni.

Listimi nga Muzhaqi i 15 fushave ku ka investime për fëmijët dhe të rinjtë, në vlerën totale prej 52 miliard lekë nga buxheti i shtetit, e ka irrituar Dumën, e cila i është kthyer ashpër ministres duke i thënë se “nuk të leverdis të flasësh për fushën që mbulon Ministria e Arsimit.

“Më kërkuat të ju listoj shifrat buxhetore për rininë dhe programet tona e tani nuk po më lini t’i listoj”, ka thënë Muzhaqi.

Ndër të tjera, kryetarja e Komisionit ka pyetur ministren e Rinisë për masat që janë marrë për të parandaluar ikjen e të rinjve nga Shqipëria.

“Masat që kemi parashikuar fillojnë nga forcimi i mekanizmave në nivel qendror dhe vendor për të garantuar pjesëmarrjen dhe konsultimin e të rinjve dhe të rejave. Rishikimi i ligjit “Për vullnetarizmin” me qëllim fuqizimin e mundësive për vullnetarizmin e të rejave/rinjve. Fuqizimin e roleve zbatuese, koordinuese, monitoruese të AKR-së”, ka qenë përgjigja e Muzhaqit.

Ndërsa ka vijuar me listimin e të gjitha masave që janë ndërmarrë në Strategjinë Kombëtare të Rinisë 2022-2029.
Promovimi i përdorimit të sigurt të teknologjive të reja, mbështetja dhe zhvillimi i programeve të seksioneve sportive amatore, arteve, artizanatit dhe aktiviteteve të tjera jashtë-kurrikulare, nxitja e punëve të denja dhe të përshtatshme për të rejat dhe të rinjtë.

Rishikimi i kurrikulave dhe programeve të orientimit, këshillimit për karrierë e punësimit, si dhe mbështetja, ndërtimi, riparimi dhe rinovimi i hapësirave publike të projektuara për të rinjtë, kanë qenë disa nga masat e Strategjisë së Rinisë.

Debati i Dumës kundrejt Muzhaqit ka vijuar, pasi nuk i ka pëlqyer përgjigja e ministres, duke vendosur dhe mbylljen e seancës së Komisionit.