Published on: 10/11/2022

Ministrja e Rinisë nga Kuvendi: Do të vijojë mbështetja e programeve për fëmijët dhe të rinjtë

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, në Kuvendin e Shqipërisë, iu ka bërë thirrje deputetëve të miratojnë buxhetin e vitit 2023, që e cilësoi si konsolidimin e përpjekjeve dhe nismave të Qeverisë për zhvillimin e Shqipërisë së gjeneratës tjetër.

Ajo tha se do të vijojë mbështetja e programeve të dedikuara për zhvillimin e kompetencave digjitale, aftësive të shekullit të 21 dhe mirëqenies tek fëmijët përmes disa nismave.

“Në vitin 2023 do të vijojë zbatimi i Programit të Kodimit që në klasë të pare, në 100 shkollat pilot të vendit, bazuar në metodat më bashkëkohore të mësimdhënies dhe mbështetjen në laboratorët inteligjentë të ndërtuar”, tha Muzhaqi.

Gjithashtu do të vijojë dhe zbatimi i Programit për Aktivitetet Jashtë Shkollore, sipas ministres së Rinisë. Fillimisht në 200 shkolla në të gjithë vendin, gjatë vitit 2023 dhe me shtrirje progresive në shkollat e vendit në vitet e tjera.

Ajo deklaroi se “ky program do t’iu mundësojë nxënësve të këtyre shkollave që të ndjekin pa pagesë, pas orarit mësimor, kurse në 5 disiplina të ndryshme, të tilla si arte, zeje, agrikulturë, mjedis, dhe teknologjia e informacioni.

“Zbatimi i Programit të Ekipeve Sportive, në disiplinat volejboll dhe basketboll, për vajza dhe djem, të cilët ndjekin studimet në shkollat e arsimit bazë, gjimnaze dhe universitete të vendit”, ishte një tjetër çështje që theksoi Muzhaqi, nga foltorja e Kuvendit.

Aktualisht, sipas ministres, nga ky program po përfitojnë rreth 8 mijë e 500 vajza dhe djem.