Published on: 09/07/2024
Ministrja Bora Muzhaqi në konferencën për Ligjin e Vullnetarizmit: Një Prioritet për Zhvillimin e Shoqërisë Civile
Bora Muzhaqi, Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët organizoi konferencën mbi rishikimin e Ligjit “Për Vullnetarizmin”. Në Konventën Kombëtare për Integrimin Evropian dhe Ligjin “Për Vullnetarizmin” aktorët kryesorë të fushës së vullnetarizmit vijuan me praktikën e bashkëhartimit të propozimeve për ndryshime ligjore me shoqërinë civile.
Ministrja Muzhaqi u shpreh: “Kjo konferencë është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një legjislacioni më të mirë për vullnetarizmin, duke e bërë atë më të përshtatshëm dhe të qasshëm për të rinjtë dhe shoqërinë civile. Ne jemi të përkushtuar për të siguruar që ligjet tona të jenë në përputhje me standardet evropiane dhe të mbështesin zhvillimin e një mjedisi mundësues për vullnetarizmin në Shqipëri.”
Gjatë konferencës u dakordësuan pikat e përbashkëta që do të rekomandohen për ndryshimin e projektligjit të vullnetarizmit, në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe kërkesat e shoqërisë civile.
Në panelin hyrës, Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, së bashku me Zv. Ministren e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, Drejtorin Ekzekutiv të Lëvizjes Europiane në Shqipëri, Gledis Gjipali, dhe Menaxheren e Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile, Arjola Agolli, ndanë eksperiencat më të mira lidhur me vullnetarizmin. Pas panelit hyrës, u zhvilluan diskutime të hapura me shoqërinë civile dhe të rinjtë, ku u adresuan sfidat dhe mundësitë për përmirësimin e legjislacionit ekzistues.
Kjo konferencë u organizua në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri, Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Partnerët Shqipëri, dhe me mbështetjen e UNICEF dhe World Vision Albania kontribues në rishikim e ligjit “Për Vullnetarizmin”.