Published on: 15/04/2022

Mbahet takimi i Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, Muzhaqi: Do të fuqizojmë mekanizmat për kontrollin dhe parandalimin e dhunës në shkolla

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, të premten e 15 prillit, ka marrë pjesë në mbledhjen e Grupit të Deputetëve “Miqtë e fëmijëve”, drejtuar nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Nga mjediset e shkollës “Ibrahim Rugova”, aktorët kryesorë të sektorit të fëmijëve si ministrja e Arsimit, Evis Kushi, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Denada Seferi, kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, si dhe përfaqësues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe të shoqërisë civile, kanë diskutuar mbi mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të të miturve, si një ndër prioritetet kyçe të Qeverisë Shqiptare.

Në fjalën hapëse, Nikolla nënvizoi se lufta kundër dhunës ndaj fëmijëve në shkolla, është një çështje thelbësore e arsimit dhe një çështje ekzistenciale e shoqërisë.

“Shkolla është vendi ku ju merrni cilësinë e dijes, por përtej cilësisë së dijes është vendi ku merrni edukimin me ato vlera dhe qëndrime që janë të nevojshme për t’u zhvilluar nesër si qytetar të denjë të një shoqërie demokratike”, tha ajo.

Kurse ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, tha se “do të fuqizojmë mekanizmat për kontrollin dhe parandalimin e dhunës në shkolla, duke krijuar kështu një mjedis shkollor të sigurt për të rinjtë dhe fëmijët tanë”.

Gjithashtu bëri të qartë angazhimin e saj në luftën kundër dhunës në shkolla, pasi dëgjoi me vëmendje kërkesat e 20 të rinjve të gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, të shprehura me peticion.

Duke përgëzuar nxënësit për iniciativën e peticionit, ajo ka vënë në dukje disa nga hapat pozitivë që janë ndërmarrë për parandalimin e dhe denoncimin e kwtij fenomeni, përveç këshillimeve dhe trajnimeve në shkolla.

Ku shembull solli Platformën e-sigurt.al, si dhe punën për krijimin e një aplikacioni në mbrojtje të fëmijët nga rreziqet e internetit, në mënyrë që ata të denoncojnë kërcënimet dhe të kenë një qendër ku të mbrohen e të bisedojnë për t’i shmangur ato.

Ministrja e Arsimit foli mbi arritjet, vështirësitë dhe propozimet mbi fuqizimin e mekanizmit dhe rritjen e efikasitetit të kontrollit e kufizimit të dhunës në shkolla.

Në raportimin e saj, ministrja Kushi vuri në dukje se lufta dhe parandalimi i dhunës ndaj fëmijëve në shkolla është një çështje jo vetëm e institucioneve, por e gjithë shoqërisë.

Për këtë qëllim MAS ka ndërmarrë një sërë hapash konkretë dhe politikash për të drejtat e fëmijëve të bazuar në Objektivin e Zhvillimit të Qëndrueshëm – Arsimi 2030.