Published on: 21/03/2023

Mbahet Asambleja e Përgjithshme e Confindustria Albania për inovacionin dhe kapitalin njerëzor në Shqipëri

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, ditën e sotme, mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Confindustria Albania për inovacionin dhe kapitalin njerëzor në Shqipëri, për të diskutuar rreth sfidave aktuale përsa i përket burimeve njerëzore dhe kualifikimit të tyre të vazhdueshëm.

Gjatë asamblesë u diskutua edhe rreth politikave që po ndërmerr qeveria shqiptare për të përmirësuar njohuritë e individëve në fushën e teknologjisë, duke u krijuar kushtet e nevojshme dhe dijet e duhura për të punuar në këtë fushë me paga konkurruese, si në tregun shqiptar, por edhe atë ndërkombëtar.

Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët u ndal tek dy nisma që qeveria po zhvillon me qëllim rritjen e aftësive digjitale të kapitalit njerëzor.

“Programi i Kodimit në shkolla, i cili gjatë këtij viti shkollor është implementuar në 100 shkolla në të gjithë Shqipërinë dhe në vitin e ardhshëm shkollor do të zgjerohet edhe më shumë, është një plan afatgjatë që kemi ndërmarrë për të krijuar një gjeneratë të re të pajisur me aftësi koduese dhe njohuri bazë digjitale” shpjegoi Muzhaqi duke theksuar se kanë ndërmmarë edhe një nismë tjetër për rezultate në një kohë të shkurtër.

“Programi i Kodimit është menduar si një zgjidhje për profesionalizimin e çdo individi 16 vjeç e sipër, në kurse 4-12 mujore nga akademi të huaja me mbështetje financiare 50% për studentët, apo të punësuarit dhe 100% për punëkërkuesit e papunë.”

Ndër të tjera, Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët ftoi sipërmarrësit italianë për të investuar në Shqipëri.

“Ky është momenti i duhur për sipërmarrësit italianë, por jo vetëm të investojnë në Shqipëri, pasi numri i individëve që po aplikojnë për kurset e formimit profesional me mbështetje financiare nga qeveria, po rritet dita ditës. Numërojmë mbi 2200 aplikantë që duan të zhvillojnë njohuritë e tyre, apo të ndryshojnë karrierën, që nga hapja e aplikimeve, duke çuar në zhvillimin e kapitalit njerëzor në fushën e teknologjisë së informacionit.” u shpreh Muzhaqi duke theksuar që edhe kapitali njerëzor në Shqipëri, po orientohet drejt teknologjisë.