Published on: 01/06/2022

Junior Minister për 1 Qershor/ Fëmijët zëvendësojnë Muzhaqin për një ditë

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

“Junior Minister” është një nga nismat më inovatore të ministres së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, në Ditën e Fëmijëve, më 1 qershor, që synon t’iu ofrojë fëmijëve të grupmoshës 12-18 vjeç një eksperiencë unike në koordinimin e institucionit që ajo drejton.

Pas fazës së aplikimit, ku 118 fëmijë nga shkolla dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë shprehen dëshirën për të qenë një ditë Ministër Shteti për Rininë dhe Fëmijët, ka qenë Franci Çeçaj, nga shkolla profesionale “Gjergj Canco” i cili fitoi mundësinë për t’u bërë Junior Ministër për një ditë.

“Është fantastike të shohësh se fëmijët janë gjithnjë të gatshëm të kontribuojnë me ide e sugjerime për të krijuar dhe përmirësuar programet që krijojmë për ta”, ka thënë Muzhaqi, ndërsa sqaroi se  Junior Ministër kishte si synim të afrojë më shumë fëmijët me punën e një ministri.

Por nuk ka qenë veç djaloshi 16-vjeçar që e ka shoqëruar ministren përgjatë kësaj dite, por edhe Maria, 15-vjeçarja që ka zhvilluar më parë praktikën pranë këtij institucioni.

Ata e kanë shoqëruar ministren Muzhaqi në çdo aktivitet që ka zhvilluar më 1 Qershor, që nga vizita në Institutin e Fëmijëve që nuk Shikojnë “Ramazan Kabashi”, vizita në panairin e punëve të fëmijëve që zhvilluam me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliun, dhe ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, e deri te takimi virtual që u zhvillua me fëmijët për t’u njohur më tepër me kërkesat dhe sugjerimet e tyre në të mirë të tyre.

Por mbi të gjitha, dy fëmijët kanë drejtuar një mbledhje kabineti të ministres Muzhaqi, duke mos hezituar t’iu kërkojnë raportime stafit mbështetës apo t’iu bëjnë pyetje rreth projekteve dhe hapave të mëtejshme që do të ndërmerren për të çuar më tutje iniciativat e Ministrit të Shtetit.