Published on: 13/04/2024

Java Globale e Parasë, Muzhaqi: Prioritet edukimi financiar i të rinjve

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, në kuadër të Javës Globale të Parasë 2024 ka organizuar konferencën dy ditore “Mbro paratë e tua, siguro të ardhmen tënde” në bashkëpunim me Aflatoun dhe Visa.

Konferenca dy ditore mblodhi së bashku të gjithë ekosistemin e angazhuar direkt apo indirekt me edukimin financiar të të rinjve dhe qindra të rinj, për të diskutuar mënyrat më efektive të përcjelljes së dijes dhe njohurive financiare te të rinjtë.

Në fjalën e saj përshëndetëse ministrja Muzhaqi u shpreh “Java Globale e Parasë ka në fokus ndërgjegjësimin e të rinjve që nga moshat më të hershme, që të marrin dijet, aftësitë dhe sjelljet e nevojshme për të marrë vendime të zgjuara financiare për të arritur mirëqenie dhe qëndrueshmëri financiare” dhe pikërisht ky është dhe qëllimi i kësaj konference dy ditore.

Për sa i përket ndërgjegjësimit për edukimin financiar, ministrja Bora Muzhaqi shprehet se “Prej 9 vitesh në vendin tonë është bërë një punë e mirë për ndërgjegjësimin e të rinjve, por kjo na ka treguar se nevoja e edukimit në këtë drejtim është gjithmonë e më e rëndësishme, ndaj dhe interesi i tyre për t’u bërë pjesë në këto trajnime dhe konkurse është gjithnjë në rritje.”, tha Muzhaqi, duke u ndalur specifikisht në module që zbatohen në shkolla dhe universitete si “Ekonomi për Sukses”, “Financat Personale” dhe “Debatojmë për Ekonominë” dhe plot nisma të tjera.

Ministrja Bora Muzhaqi theksoi gjithashtu se “edukimit financiar i të rinjve është një nga prioritetet tona. Për këtë arsye, angazhimi ynë në këtë fushë shënon përkushtimin tonë për të ndihmuar në zhvillimin e një kulture financiare të fortë dhe të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.”

Të pranishëm në konferencë ishin institucionet kryesore të përfshira në fushën e ekonomisë dhe financave, me përfaqësues ministrin Z. Ervin Mete, Z. Gent Sejko, Z. Eduard Shalsi dhe Znj. Bilali që ndanë eksperiencën dhe mendimet e tyre mbi edukimin financiar dhe ndërveprimin me të rinjtë.

Në një panel teknik mbi zgjidhjet më të mira për edukimin financiar me të ftuar Z. Endrit Yzeiraj, Zëvendës Ministër i MEKI; Z. Altin Tanku,;Znj. Adriana Ristani, Z. Genc Mamani, Z. Spiro Brumbulli dhe Z. Astrit Dauti, të rinjtë u informuan më shumë si të qasen pozitivisht ndaj parasë, kursimeve me fokus investimeve dhe mënyrave efikase për një planifikim të sigurt financiar në të ardhmen.

Më tej, bisedimet u fokusuan midis të rinj dhe aktorëve nga bota e biznesit dhe shoqërisë civile që ndanë me të rinjtë eksperiencën dhe mënyra efikase në menaxhimin e parasë, përfshirë programe që zbatohet aktualisht në universitete dhe shkolla si Junior Achievement mbështetur nga AADF. Më tej, ndanë edhe njohuritë mbi mikrokreditë dhe kreditë e buta si mundësi që mund të ndihmojnë të rinjtë në momente të caktuara të jetës.

Në ditën e dytë të konferencës diskutimet u fokusuan në metodat më të mira të integrimit të edukimit financiar në nivel kombëtar, ku Aflatoun u ndal në eksperienca të mira brenda vendit, por edhe jashtë vendit me fokus në edukimin financiar të moshave të ndryshme.

Kjo konferencë u organizua nga Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët me mbështetjen e Visa dhe Aflatoun.