Published on: 04/03/2024
GRAMSH – NJË DITË DEDIKUAR PROGRAMEVE PËR RININË DHE FËMIJËT
Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët e shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Gramsh ndoqi programet për rininë dhe fëmijët, me qëllim monitorimin e ecurisë së tyre, impaktin tek fëmijët dhe të rinjtë, si dhe për të biseduar me përfituesit e programeve rreth çështjeve që mund të përmirësohen. Monitorimi filloi nga Programi i Kodimit në Shkolla, për të kaluar tek Programi Jashtë Orarit Mësimor, Programi i Ekipeve Sportive, Programi AI for Youth dhe deri tek një trajnim nga organizata rinore Konkret mbi Sigurinë Kibernetike, që zbatohet në tre bashki të qarkut Elbasan, me financim të Agjencisë Kombëtare të Rinisë.
Më tej, Ministri i Shtetit për Rininë dhe fëmijët zhvilloi një bisedë edhe me Këshillin Vendor Rinor, nga ku u evidentua plotësimi i kërkesave të parashtrura nga të rinjtë e Gramshit gjatë hartimit të Strategjisë Kombëtare të Rinisë në vitin 2021 si ngritja dhe fuqizimi i Këshillit Vendor Rinor edhe nëpërmjet organizatave rinore; Zbatimi i Programit Ekipet Sportive në Shkolla, Zbatimi i Programit Jashtë Orarit Mësimor me fokus në aktivitetet kulturore; dhe laboratorë teknologjik për zbatimin e Programit të Kodimit në Shkolla. Gjatë takimit me Këshillin Vendor Rinor të rinjtë parashtruan edhe kërkesat e reja që do të ndiqen në vijim.