Published on: 11/04/2022

Fjalimi në Parlament në seancën plenare të datës 11.04.2022

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Përfshirja e qytetarëve në vendimet me ndikim të gjerë dhe afatgjatë për jetët dhe të ardhmen e tyre është një politikë dalluese e qeverisjes sonë. Ne i jemi përkushtuar me seriozitet dhe vendosmëri linjës së bashkëqeverisjes me qytetarët duke vlerësuar rëndësinë e dëgjimit të zërit të tyre  për arritjen e rezultateve më të drejta dhe ndikuese. Në këtë linjë, procesi i Këshillimit Kombëtar nuk është një ishull në det të hapur.

Ftesa për qytetarët nëpërmjet pyetësorit të Këshillimit Kombëtar, si një risi në politikëbërje është një nga rrugët e përfshirjes se qytetarëve dhe grupeve të interesit në hartimin e politikave  dhe strategjive kombëtare.

Gjatë këtyre viteve të tranzicionit janë hartuar shumë strategji. Ka sektorë që kanë patur me shumë se 1 dokument strategjik. Për rininë deri më sot nuk ka patur një dokument të tillë, por puna për hartimin e tij tashmë ka filluar. Deri më sot rreth 1,200 të rinj janë përfshirë aktivisht në hartimin e Strategjisë Kombëtare për Rininë 2022-2029, hera e parë kjo kur të rinjtë e çdo qyteti, shkolle dhe universiteti janë angazhuar për të dhënë mendimet e tyre. Shtyllat  kryesore dhe masat per  jetësimin e saj janë në përputhje të plotë me kërkesat e të rinjve shqiptarë, por dhe të organizatave rinore dhe  grupeve të interesit në fushën e rinisë.

Të rinjtë kanë kërkuar më shumë mundësi në fushën e teknologjisë së informacionit, për të zhvilluar më tej njohuritë e tyre në këtë fushë të së ardhmes.

Teknologjia po ndryshon dita ditës botën ku ne jetojmë, dhe tashmë programimi është bërë një pjesë e pandashme e jetës së gjeneratës së re. Në përputhje me kërkesat e të rinjve, ne po hartojmë politikat e edukimit dhe punësimit për t’u përshtatur me nevojat e fëmijëve dhe të rinjve.

Orientimi në shkenca, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, do t’u ofrojë të rinjve një të ardhme më të sigurt, por do të ndikojë edhe në zhvillimin dhe rritjen e konkurueshmërisë së vendit tonë.

Politikat më të reja në këtë fushë janë dy. E para që lidhet me përfshirjen e kodimit që në klasë të parë. Dhe e dyta me ofrimin e bursave për të rinjtë që duan të përmirësojnë njohuritë e tyre në fushat e programimit.

Përsa i përket të parës, në fillimin e këtij viti shkollor, 100 shkolla në të gjithë Shqipërinë do të pajisen me laboratorë teknologjikë të rinj, ku fëmijët e klasës së parë do të mund të mësojnë kurrikulën e kodimit.

Këta fëmijë se bashku me ata që po ndjekin kodimin si ekstrakurikulare do të jenë ata që do të hapin rrugën për Shqipërinë e teknologjisë, ku fëmijët dhe të rinjtë tanë do konkurojnë në mënyrë të denjë bashkëmoshatarët e tyre Evropianë.

Ky program do të zbatohet nga qeveria në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, që do të siguroje që të gjithë njohuritë që përfshihen si pjesë e kurikulës të jenë në linjë me kërkesat e një tregu gjithmonë e në zhvillim.

Ndërkohë të gjithë të rinjtë që duan të ndryshojnë drejtimin e tyre të karrierës, apo ata që duan të fitojnë më shumë njohuri në fushën e programimit dhe teknologjisë, do të mbështeten me bursa në mënyrë që të mund të ndjekin kurse afatshkurtra nga 4 deri në 12 muaj për tu bërë ekspertët e ardhshëm të programimit.

Kjo përkujdesje jo vetëm për fëmijët, por edhe për të rinjtë, do të krijojë bazat për një shoqëri të dijes në fushën e teknologjisë. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të jetë konkuruese në këtë fushë, e prandaj fëmijëve tanë do tu jepet siguria e pjesëmarrjes në dijet e shekullit të 21-të që nga klasa e parë.

Interesi i fëmijëve dhe të rinjve në këtë fushë, u tregua sërish edhe në panelin e organizuar me fokus rininë dhe inovacionin, ku të gjithë pjesëmarrësit kërkuan më shumë informacion lidhur me ofruesit e dijeve dhe ofruesit e punës në fushën e teknologjisë. Ishte interesante të shihje të rinjtë të përfshirë dhe të angazhuar për të kuptuar më shumë për këtë treg gjithmonë e në rritje.

Tashmë Shqipëria ka shumë kompani që veprojnë në fushën e teknologjisë dhe punësojnë shumë të rinj e të reja të kësaj fushe, dhe shumë kompani të tjera po i shtohen tregut tonë. Prandaj të rinjtë tanë duhet të përgatiten për sfidat e të ardhmes, në botën që jetojmë dhe mbi të gjitha të kuptojmë se në një botë ku teknologjia ka sfumuar kufijtë e shteteve, nuk është nevoja të largohemi nga Shqipëria për të punuar për kompani të huaja.

Mundet që nga Tirana të punojmë për kompanitë më të njohura të botës, vetëm nëpërmjet një laptopi dhe një lidhje interneti.

Shëmbuj të suksesshëm si Lufthansa apo Ritech të cilët ofrojnë tashmë zgjidhje software-ike për klientë ndërkombëtarë ekzistojnë këtu, në Shqipëri, dhe janë gjithmonë në kërkim të punonjësve të kualifikuar.

Rezultatet e Këshillimit Kombëtar ku morën pjesë  më shumë se 500 mijë qytetarë kanë treguar mendimet e qytetareve lidhur me fusha shumë të rëndsishme për vendin. Do doja të ndalesha në dy fusha të cilat lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me fëmijët.

81% e qytetarëve kanë reaguar pozitivisht përsa i përket ofrimit të mbrojtjes së veçantë sociale nga shteti për nënat me fëmijë të mitur. Përkujdesja dhe rritja e fëmijëve është punë dhe punë me angazhim me kohë të plotë i nënave.

Përkrahja ndaj grave është themeli i një shoqërie të shëndetshme, ndihmon një brez të ri fëmijësh dhe të rinjsh, që rriten me nënat që kanë mundësinë dhe kohën për të qëndruar me ta sikur edhe një orë më shumë, falë politikave mbështetëse dhe lehtësuese të qeverisë.

Nënat janë heroinat e heshtura dhe të palodhura, ato që gjejnë kohën të punojnë, të përgatisin ushqimin, të cojnë e të marrin fëmijët nga shkolla, ti ndihmojnë të bëjnë detyrat, ti edukojnë e tu mësojnë vlerat qytetare, por edhe tu lajnë rrobat e ti ndihmojnë të bëhen gati për shkollë.

Të qenurit nënë, vjen me detyrën e rëndësishme të formimit të një brezi të ri, brezi i ri të cilit do ti trashëgojmë Shqipërinë, prandaj edhe shteti duhet të ofrojë një përkujdesje të veçantë për nënat që kanë detyrën e vështirë të rritjes së qytetarëve të përgjegjshëm.

Vlerësimi dhe mbështetja që qytetarët i kane dhënë  pyetjes për mbështetjen e veçantë sociale për nënat me fëmijë të mitur, do të duhet të materializohet në politika dhe hapa konkrete, për të bërë të mundur mbështetjen dhe rritjen e rolit te gruas dhe nënës në familje, me prioritet kujdesin ndaj mirërritjes dhe mirë-edukimit të fëmijëve para së gjithash në familje.

Vullneti i qytetarëve është detyrë për ne, dhe ne do ta kthejmë në politika dhe ligj, që nënat shqiptare me fëmijë të mitur të kenë mundësi financiare dhe sociale për të qënë të pavarura dhe për të pasur kohën që të rrisin fëmijët.

Një tjetër temë e rëndësishme e cila u trajtua në Këshillimin Kombëtar lidhet me ashpërsimin e dënimit për autorët përsëritës në kryerjen e krimeve të rënda kundër personit dhe dyfishimin e dënimit për autorët që kryejnë dhunë në familje dhe krime ndaj fëmijëve.

Në formularin e Këshillimit Kombëtar 81% e qytetarëve kanë kërkuar dyfishimin e dënimit dhe heqjen e gjykimit të shkurtuar për autorët që kryejnë dhunë në familje dhe krime ndaj fëmijëve. Një përqindje shumë e lartë, që na tregon edhe drejtimin e kërkuar nga qytetarët për këtë fushë.

Kushdo që kryen krime ndaj një krijese të pafajshme sic janë fëmijët duhet të marrë ndëshkime më të rënda.

E dhimbshme të lexosh lajmet  e  kronikave të zeza, per  kriminelë qe  abuzojnë dhe dhunojnë fëmijët. Jam e bindur që të gjithë ne këtu bashkohemi me zërin e më shumë se 430 mijë qytetarëve që kanë zgjedhur ashpërsimin e dënimeve për këta autorë të krimeve ndaj fëmijëve.

E njëkohësisht, duke u përpjekur të krijojmë një shoqëri të barabartë ku gratë nuk kanë frikë për jetën e tyre, dhe jetojnë të lira e pa frikën e abuzimit, dhunimit apo edhe të marrjes së jetës nga burrat, qytetarët sërish janë shprehur se edhe për këta autorë të krimeve në familje duhet të dyfishohen dënimet.

Të jesh grua në një vend me mentalitet burri është gjithmonë e më e vështirë, vajza që jetojnë në frikë nga baballarët e tyre, e më tej kalojnë në frikë te burri, sikur të ishin një titull pronësie e jo një qënie e gjallë, me të drejta po aq të barabarta sa burrat. Të duket sikut të shëmbet bota  kur dëgjon për vajza e gra që vriten se nuk janë sjellë konform normave të një mentaliteti patriarkal.

Megjithatë, është inkurajues fakti që qytetarët kanë kërkuar nëpërmjet këshillimit kombëtar, një Shqipëri ku gratë dhe fëmijët mbrohen nga shteti duke dyfishuar dënimet për autorët që kryejnë dhunë në familje dhe krime ndaj fëmijëve.

Zëri i qytetarëve dhe vullneti i tyre ka dalë i qartë nëpërmjet këshillimit kombëtar, e tani është detyra jonë e përbashkët që vullnetin e tyre ta kthejmë në ligj e politika.

Së bashku drejt një Shqipërie ku bashkëqeverisja me qytetarët është realitet i çdo pune dhe vendimi të ndërmarrë.