Published on: 11/04/2024
FJALA E PLOTË E MINISTRES MUZHAQI NË EVENTIN E JAVËS GLOBALE TË PARASË
Përshëndetje dhe mirëserdhët,
Dikur, kur sapo isha diplomuar në Ekonomi, habitesha sesi fusha e ekonomisë dhe financës nuk i dukej të gjithëve tmerrësisht interesante, ashtu siç na dukej ne studentëve të ekonomisë.
Më tej, pasi fillova punë në sektorin e financës, ne profesionistëve të fushës që jetonim çdo ditë me kuadrimet e pasqyrave financiare: bilancit, pasqyrat e të ardhurave dhe shpenzimet, pasqyra e fluksit të parasë apo ndryshimet në kapital, na dukeshin njohuri standarde, që duhet t’i kishte kushdo, ndonëse jo në të njëjtin nivel detajimi. Sidomos buxhetimin personal, dhe i të ardhurave të familjes.
Por sigurisht, unë si shumë të tjerë që kishin zgjedhur të studionin apo punonin në fushën e ekonomisë, kuptova se për një pjesë të madhe, financa nuk është as tërheqëse dhe as interesante. E vështirë për t’u pranuar ky fakt, nga ata prej nesh që këtë temë e duan fort, por ja që është i vërtetë.
Megjithatë, sado interesante apo argëtuese kjo fushë mund t’i duket apo jo shumëkujt prej jush, financat dhe ekonomia na prekin të gjithëve në jetën tonë të përditshme. Duke filluar që nga njohuritë për të hapur një llogari bankare, për të marrë një kartë krediti me interesa të favorshëm, te kredia për të blerë shtëpi, hapja e një depozitë kursimi për të ardhmen, apo edhe komponent të tjerë si balancimi familjar i të ardhurave, shpenzimeve apo kursimeve, sigurisht na prekin të gjithëve.
Financat personale janë një prej atyre komponentëve që e shoqërojnë jetën tonë pandashmërisht. Ato përcaktojnë shumëçka për sejcilin prej nesh. Raporti që ne ndërtojmë me financat dhe të ardhurat, duke e mbivlerësuar apo anasjelltas, duke e zhvlerësuar vlerën e parasë, është tregues i disa vlerave që ne përcjellim në shoqëri si individë.
A e dimë vërtetë vlerën e parasë? A e respektojmë sa duhet atë? Jemi një shoqëri që e mbivlerëson apo e zhvlerëson paranë? Si duhet trajtuar kultura e kursimit dhe sa e pranishme është ajo në shoqërinë tonë?
Këto janë vetëm disa pyetje që gjithsecili nga ne ia bën vetes në momente të caktuara, ndonëse jo aq shpesh sa duhet, pasi jeta e vrullshme na merr përpara. Sot do të nisim këtë proces të rëndësishëm reflekimi dhe diskutimi për të kuptuar si është mënyra më e mirë për të përcjellë dije dhe njohuri mbi edukimin financiar tek fëmijët dhe të rinjtë.
Java Globale e Parasë ka në fokus ndërgjegjësimin e të rinjve që nga moshat më të hershme, që të marrin dijet, aftësitë dhe sjelljet e nevojshme për të marrë vendime të zgjuara financiare për të arritur mirëqenie dhe qëndrueshmëri financiare.
Bota e sotme aq sa duket e pafundme aq është edhe e vogël është teksa na shfaqet cdo ditë në ekranin e telefonave tanë. Adoleshentët dhe rinia shqiptare konsumojnë të njëjtin informacion mbi zhvillimet në cdo cep të botës në kohë reale. Ndaj dhe qasja duhet të jetë e njëjtë në raport me paranë por dhe me shumëçka i prek ata drejtëpërdrejtë. Ndaj edhe Java Globale e Parasë zhvillohet në 176 shtete, dhe ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë 60 milionë fëmijë dhe të rinj që nga viti 2012.
Shqipëria në drejtimin e Bankës së Shqipërisë, ka marrë pjesë që nga viti 2015-të në Javën Globale të Parasë, duke zhvilluar aktivitete edukuese dhe ndërgjegjësuese me të rinjtë. Gjatë vitit 2024, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shoqatën e Bankave dhe Agjencinë e Sigurimit të Depozitave zhvilluan konkuse, leksione dhe orë mësimore me fokus tek edukimin financiar ku morën pjesë 5,516 nxënës dhe student, nga më shumë se 355 shkolla të të gjitha niveleve.
Prej 9 vitesh në vendin tonë është bërë një punë e mirë për ndërgjegjësimin e të rinjëve, por kjo na ka treguar se nevoja e edukimit në këtë drejtim është gjithmonë e më e rëndsishme. Ndaj dhe interesi I tyre për tu bërë pjesë në këto trajnime dhe konkurse është gjithnjë në rritje.
Edukimi financiar në Shqipëri nuk mbetet vetëm në kuadrin e aktiviteteve të ndërgjegjësimit që zhvillohen përgjatë javës globale të parasë. Edukimi financiar është përfshirë si pjesë e modulit të Junior Achievement në arsimin parauniversitar, që përfshin njohuritë që ofrohen në 9 vjeçare, në gjimnaz por edhe në universitet.
Më konkretisht në klasën e 7-të me anë të programit “Ekonomi për sukses” që zgjat 6 javë dhe zhvillohet në shkollë, nxënësit njihen me thelbin e një jete ekonomikisht të suksesshme që përfshijnë zgjedhjen e karrierës së duhur dhe menaxhimin e mençur të parasë. Ky modul zhvillon njohuritë e nxënësve për të ardhurat personale – përfshirë buxhetimin efektiv, përdorimin në mënyrë të zgjuar të të ardhurave dhe zvogëlimin e riskut, për të mësuar aftësi të forta të menaxhimit financiar, pavarsisht nga të ardhurat. Ndër të tjera nxënësit mësojnë mbi buxhetin, kredinë, sigurimin, vendimmarrjen, të ardhurat, interesat, rrezikun dhe botën e punës.
Ndërsa në gjimnaz me anë të modulit “Financat Personale” që zgjat për 18 javë dhe përqëndrohet te rëndësia e planifikimit si dhe vendimmarrjes së kujdesshme në kontekstin e vendimeve financiare personale. Nëpërmjet trajtimit të temave të ndryshme që lidhen me financat që përfshijnë buxhetimin, zgjedhjet financiare, sigurimin, investimet, kursimet dhe shpenzimet, të rinjtë mësojnë të analizojnë informacionin, të kategorizojnë të dhënat, si dhe të bëjnë planifikim financiar. Plot 4,027 të rinj janë trajnuar me programet dhe modulet e financave personale gjatë vitit të shkuar.
Në universitete zbatohet moduli “Debatojmë Ekonominë” i cili ka fokus që nëpërmjet debateve të mund të zhvillojë më tej aftësitë e të rinjve mbi ekonominë, financën dhe zhvillimin e brezit të ardhshëm të të rinjve të mirëartikuluar dhe të përgatitur për fusha të ndryshme. Me anë të këtij programi janë ngritur 14 klube debati dhe janë përfshirë 485 të rinj, gjatë vitit të shkuar.
Hapa të mirë dhe të suksesshëm janë ndërmarrë lidhur me edukimin e fëmijëve dhe të rinjve në fushën e edukimit financiar, qoftë nga institucionet shtetërore me në krye Bankën e Shqipërisë dhe Ministrinë e Arsimit, por këto përpjekje janë kombinuar me donatorët dhe mbështetësit, më konkretisht me Fondacionin Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, dhe programin e Junior Achievement që ka cuar përpara incitiativat pozitive të edukimit financiar të brezit të ri në vend.
Megjithatë, përtej gjithë hapave dhe programeve në drejtimin e duhur që janë ndërmarrë në këtë fushë, duhet që të gjithë së bashku të mund të bëjmë më shumë, duke përfshirë edukimin financiar si një pjesë e mirëfilltë e jetës së fëmijëve dhe të rinjve, ndonëse jo domosdoshmërisht si si një lëndë shkollore me libra dhe me vlerësim me notë, por duke e konceptuar si diçka ndërvepruese dhe inovatore që përshtatet me kërkesat dhe interesin e të rinjve. Duke ndërlidhur të mësuarit me lojën, dhe duke ndërlidhur të ardhurat dhe investimet, e duke mësuar se menaxhimi financiar, e pse jo kursimi, janë aftësi të domosdoshme.
Në vijim të javës globale të parasë, ku fokusi është te trajnimi dhe ndërgjegjësimi i të rinjve, këtë herë mblidhemi së bashku me një pjesë të madhe të aktorëve të sektorit financiar për të diskutuar se si të gjithë bashkë mund të bëjmë më shumë për të edukuar brezin e ri për të marrë vendime të mençura financiare dhe për tu bërë të pavarur financiarisht.
Gjatë ditës së parë të këtij organizimi, do të dëgjojmë panele me drejtues të institucioneve arsimore dhe financiare në vend. Gjithashtu do të kemi panele të posaçme për sektorin privat, me përfaqësues të shoqatës së bankave, bankat e nivelit të dytë dhe institucionet financiar. Dhe së fundmi por jo nga rëndësia përfaqësues të aktorëve në institucionet jofitimprurëse që mbështesin zhvillimin e politikave për edukimin e të rinjve.
Ndërsa në ditën e dytë do të vijojmë me panele edhe më teknike për metodat më të mira të integrimit të edukimit financiar në nivel kombëtar, ku do të dëgjojmë eksperienca të mira brenda vendit por edhe jashtë vendit. Jam e sigurtë që dita e dytë do të jetë shumë më interesante për të rinjtë.
Shpresoj fort se biseda do të jetë konstruktive me kontribute konkrete dhe angazhime të mirëfillta që gjithsecili prej nesh do mund të marrë përsipër me qëllim krijimin e një hapësire më të mirë për edukimin financiar të brezit të ri.
Së fundmi, një falenderim për partnerët tanë, Visa, një lider në tregun e pagesave digjitale dhe Aflatoun, lider në edukimin social dhe financiar të fëmijëve dhe të rinjve, për mbështetjen e kësaj konference dhe inputet e vlefshme për vijimin e progresit në fushën e edukimit financiar të të rinjve.
Dua ta mbyll, me misionin e Aflatoun që do jetë dhe lajtmotivi i kësaj konference, sigurimi i një edukimi social dhe financiar të një cilësie të lartë që ka në qëndër fëmijën, për të fuqizuar fëmijët dhe të rinjtë si agjentët e ndryshimit për një botë më të barabartë dhe më të qëndrueshme.
Faleminderit dhe punime të mbara për gjithë pjesëmarrësit!