Published on: 23/08/2022

Fjala e Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët në dekorimin e Luiza Gegës

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

9 minuta 11 sekonda 31 milisekonda!

Koha që ju desh Luizës për të thyer një rekord të kampionatit evropian, i cili qëndronte i paprekshëm prej 12 vitesh. Koha që iu desh Luizës për t’u ngjitur në majë, për të entuziazmuar mbarë kombin e për të lartësuar atdheun, apo më ëmbël akoma, mëmëdheun! Sa kohë e shkurtër për historinë, më pak se 10 minuta!

Por koha e pafundme është ajo që askush përveç kampionëve nuk e mat!

Është koha e stërmundimit, sakrificave dhe pengesave që duhen tejkaluar për të ndjekur ëndrrën. Shumë dorëzohen, gjejnë justifikime, madje të drejta në shumë raste, por kjo botë është e ëndrrimtarëve që guximin dhe durimin i kanë po aq të mëdha sa ëndrrën!

Në Shqipëri nuk ka pista të mirëfillta vrapimi, qyteti ynë nuk ka shtigje për të vrapuar, shkolla ime nuk ka oborr ku mund të vraposh… Asnjëra nga këto nuk është e pavërtetë, por ja që po këtu, është po kaq e vërtetë, që Shqipëria ka një kampione evropiane në vrapim!

Kjo është Luiza, simboli kombëtar i tejkalimit të të gjitha pengesave të mundshme.

Sot, të gjitha vajzat e djemtë e vegjël që duan të vrapojnë, që duan të ëndërrojnë të pamundurën dhe të arrijnë majën e ëndërruar, kanë një frymëzim të ri, Luizën!

Luiza është frymëzim dhe shtysë e re edhe për ne, që kemi privilegjin të kontribuojmë me të vegjlit e me të rinjtë.

Faleminderit e dashur Luiza!

Në këtë vit të parë të qeverisë së re, ne kemi punuar me përkushtim për një program sportiv mbarëkombëtar për të rinjtë.

Qëllimi ynë është fuqizimi i jetës sportive nga nëntëvjeçarja e deri në universitet. Duke i vënë shumë më mirë në shërbim të edukimit fizik e të vlerave sportive edhe investimet e shumta që janë bërë, edhe ato që do të bëhen në infrastrukturën sportive, ne besojmë se do të kemi si një rini më të shëndetshme e më sociale, ashtu edhe një lëvizje sportive me rezultate më të spikatura.

Kemi filluar një transformim rrënjësor të marëdhënies mes qeverisë qendrore dhe vendore për lëvizjen sportive. Në bashkëpunim me KOKSH-in; bashkitë, shkollat dhe universitetet kemi gati kalendarin e parë sportiv bashkiak, rajonal dhe kombëtar. Janë përzgjedhur dhe trajnuar mësuesit, si edhe janë percaktuar hapsirat, ku do të fillojnë stërvitjet dhe kampionatet, me fillimin e këtij viti shkollor.

Plot 652 skuadra në shkolla dhe 48 skuadra në universitete për basketboll dhe volejboll, për vajza dhe për djem, janë tanimë të regjistruara. Çdo fushë dhe palestër do të gumëzhijë nga ndeshjet midis shkollave, gjimnazeve dhe universiteteve, dhe aktiviteti fizik shkollor do të hyjë në një epokë të re.

Rruga drejt majës është ende e gjatë, por hapat drejt saj vazhdojnë me këmbëngulje e durim dhe një ngjarje kaq fantastike sa kjo që na dhuroi Luiza është një burim i madh energjie për ne!

Faleminderit edhe njëherë Luiza.

Në fakt faleminderit njëmijë herë kampione!