Published on: 30/01/2025

Fjala e Ministres së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, në përurimin e Qendrës Rinore Multifunksionale në Bashkinë Mat.

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Ministrja Bora Muzhaqi, fjala e plotë

Përshëndetje,
Sot është një nga ato ditët shumë të bukura, siç tha kryetari z. Malaj, siç tha edhe Regi, përfaqësuesi i Këshillit Vendor Rinor të Burrelit. Para dy vitesh, ishim me Kryeministrin në atë parkun e bukur të Burrelit, dhe Regi, bashkë me dy djem të tjerë, ngritën duart para Kryeministrit dhe thanë: “Të gjithë po mbajnë me hatër Dibrën, ne në Burrel nuk po mbështetemi mjaftueshëm. Do donim një qendër rinore, por nuk na e kanë bërë realitet”.

Asokohe u kërkuam të rinjve: “Nëse ju siguroheni që ta shkruani vetë projektin dhe të vendosni se çfarë do të realizoni, atëherë me siguri do të gjendet mundësia për ta mbështetur një qendër rinore në Burrel”. Pavarësisht se ky është një investim i konsiderueshëm për Agjencinë Kombëtare të Rinisë, nga ana tjetër, duhet thënë se investimi është i vogël krahasuar me investimet që janë bërë nga Qeveria në këtë zonë. Por ajo që është e rëndësishme nuk është vetëm realizimi i investimit, pasi ai është bërë tashmë, por është që të rinjtë ta përdorin dhe ta shfrytëzojnë maksimalisht qendrën rinore.

Detyra jonë është të jemi gjithmonë krah të rinjve. Prandaj edhe Regit, përpara se të bënim këtë projekt, bashkë me të gjithë shokët e Këshillit Vendor Rinor, i kërkuam që nëse do të bëjmë këtë investim në Burrel, duhet të sigurohemi që çdo ditë të ketë aktivitete rinore këtu. Duhet të ketë të rinj që të rrisin aftësitë e tyre, të zhvillojnë trajnime, aktivitete argëtuese, duke e përdorur këtë hapësirë të re për të rinjtë e zonës. Për këtë pjesë, jam e bindur që do ta mbani fjalën dhe sigurisht do ta shfrytëzoni këtë hapësirë pas kaq kohësh që e keni kërkuar.

Sot është dita për të festuar dhe për të hartuar një plan pune për të rinjtë, se si doni ta përdorni këtë hapësirë, si ta bëni funksionale për jetën tuaj dhe për krijimin e mundësive në qytetin e Burrelit. Kjo duhet të jetë fokusi, pasi shpesh e kemi mendimin se duhet të shkojmë në Tiranë për të ndjekur studimet, por duhet gjithashtu të mendojmë se si mund të kontribuojmë për qytetin ku kemi lindur, për qytetin ku jetojnë prindërit tanë, dhe secili prej nesh mund të japë një kontribut edhe më të madh.

Kam edhe një lajm të mirë për të rinjtë e Burrelit, dhe jo vetëm. Të rinjtë e dinë që ne premtimet i bëjmë realitet, dhe pavarësisht se na duhet pak kohë nga ana logjistike për të realizuar, një nga programet që të rinjtë kanë kërkuar vazhdimisht, është programi i nismave komunitare. Kështu, nëse disa të rinj nga Mati kanë një ide të bukur që duan ta realizojnë, do të mund të aplikojnë në Agjencinë Kombëtare të Rinisë dhe të marrin financimin për ta realizuar projektin e tyre.
Shumë shpejt, do të kalojmë këtë nismë ligjore në Parlament, dhe besoj që së shpejti të rinjtë që kanë ide të bukura nuk do të mbeten vetëm me ide, por do të kenë mundësinë të realizojnë ato vetë dhe të bëhen realitet.

Të gjitha këto projekte vijnë si rezultat i angazhimit të të rinjve. Besoj se, duke i pasur ata pjesë të politikave tona, është mënyra më e mirë që të jemi afër jush. E di që kërkesat janë të shumta dhe kjo është arsyeja pse kemi krijuar një Këshill Vendor Rinor.
Punët e mira nuk bëhen shpejt, por bëhen me vizion të qartë dhe objektiva të vendosura për të realizuar. Besoj se sot është dita për të thënë se një detyrë e mirë është bërë. Patjetër, shumë detyra të tjera të mira na presin.

Ta gëzoni, përdoreni sa më shumë dhe mbi të gjitha, mos e lini asnjë ditë bosh!

Shumë faleminderit!