Published on: 09/01/2025
Fjala e Ministres Bora Muzhaqi në Mbrëmjen Ceremoniale për Sportistët shqiptarë
Fjala e plotë e Ministres Bora Muzhaqi:
Përshëndetje,
Si Ministre për Rininë më takon t’ia jap fjalën të rinjve përpara, por sot me ç’duket i kanë mbytur emocionet dhe jo pa të drejtë, se nga 12 mijë fëmijë, këta që kemi këtu janë përzgjedhur si më të mirët në basketboll.
Në fakt para se të vija e kisha në plan të flisja për numra, për shifra për fakte. Kolegët e mi folën shumë mirë për numra dhe për shifra edhe për fakte, kështu që do t’ju flas për diçka tjetër që besoj ndoshta do t’ju mbetet pak më shumë në mendje, që janë në fakt ndjesitë.
I dashur Fidel, i dashur Gerti, i gjithë ekipi i KOK-shit, jam shumë e lumtur që ju shoh sot të veshur për këtë mbrëmje gala. Jemi mësuar shihemi bashkë me tuta sporti, duke vrapuar, duke shpërndarë uniforma duke takuar të rinj, lart e poshtë nëpër Shqipëri, kështu që shumë faleminderit se, besoj ky nuk do të ishte i mundur si projekt pa angazhimin tuaj. Kur them angazhim e kam fjalën në sensin më të plotë të fjalës duke mos pushuar as një sekondë dhe duke shkuar cep e më cep për ti dhënë atë kënaqësinë më të bukur që fëmijët kanë, kur marrin atë uniformën sportive, kur e veshin dhe kur ndihen pjesë e një ekipi.
Patjetër që ky është një moment i paharrueshëm edhe kur thua 12 mijë, duket si një numër i madh dhe duken thjesht si numra, por në fakt kur sheh buzëqeshjet e fëmijëve, në momentin që ata fitojnë apo më mirë akoma, më kujtohet një djal i vogël nga Kamza, kur herën e parë që e pamë në një ndeshje basketbolli, Fideli e mban mend shumë mirë, ishte ai djali i shkurtër në Kamëz, i cili në ndeshjen e tij të parë, dukej që kishte talent, por kur e pamë pas 3 vitesh si pjesë e programit të ekipeve sportive, ai ishte bërë basketbollist prej vërteti. Aty kuptuam vërtet se çfarë impakti mund të kishte një program i tillë si masivizimi i sportit në basketboll dhe në volejboll. Fakti që të rinjtë e kanë përqafuar më së miri këtë program. Një kërkesë tjetër, këtë herë për ministren e Arsimit, është pikërisht fakti që në çdo shkollë që shkoj dhe në çdo vend që më shkel këmba, të rinjtë gjithmonë duan të bëhen pjesë edhe më shumë e programit të ekipeve sportive.
Besoj kjo është pikërisht ai treguesi më i mirë që ka qenë me vërtet një projekt i suksesshëm. Kur vetë fëmijët, të rinjtë dhe prindërit e tyre kërkojnë që ky program të jetë edhe në shkollën e tyre, atëherë patjetër që kjo është e vetmja mënyrë që ti kupton që programi ka qenë i suksesshëm.
Shumë punë, shumë përpjekje por besoj që ia kemi dalë të ndërtojmë të paktën tre breza, tek të rinjtë që sportin do ta marrin gjithmonë me vete.
Shumë faleminderit të gjithëve për punën që keni bërë dhe mbi të gjitha urimet më të mira për ju që pëfaqësoni plot 12 mijë të rinj që kanë bërë një punë fantastike në këto sporte.
Shumë faleminderit!