Published on: 31/01/2023
Faza e fundit e Thirrjes VII të praktikave të punës
Këtë muaj ishte faza e fundit dhe më e rëndësishme e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, i cili ka filluar në 12 shtator të vitit 2022. Faza e fundit e këtij programi përkon me punësimin e praktikantëve të propozuar nga institucionet përkatëse ku ata kanë kryer praktikën, me kontratë një vjeçare në kuadër të thirrjes VII të PKPP. Ndër të tjera, të gjithë të rinjtë që kanë zhvilluar praktikën pranë institucioneve pritëse u pajisen me certifikatë të lëshuar nga ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe Departamenti i Administratës Publike.
Nga 457 të rinj që kanë zhvilluar praktikën e punës në administratën shtetërore, njësitë e vetëqeverisjes vendore, institucionet publike të pavarura, institucione të tjera private si dhe në organizatat jofitimprurëse të cilat u futën ketë vit në skemë, 155 prej praktikantëve janë punësuar pranë institucioneve pritëse me kontratë 1 vjeçare.
Pranë ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi janë punësuar tashmë dy prej të rinjve që janë vlerësuar me pikë maksimale në përfundim të praktikës.
Programi u mundësoi praktikantëve të Thirrjes VII, njohjen me institucionet e administratës shtetërore dhe institucioneve të tjera publike apo private. Praktikantët kanë realizuar detyra dhe angazhim në institucionet përkatëse, bazuar në një plan pune tre mujor, të drejtuar nga një mbikëqyrës. Ky program synon që të rinjtë të përfitojnë një përvoje kualifikuese për zhvillimin e mëtejshëm të aftësive profesionale, akademike dhe personale të të tyre.