Published on: 16/01/2023

Debati Final i Delegatëve Rinorë të OKB-së në Shqipëri.

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi ishte anëtare e jurisë në Debatin Final të Delegatëve Rinorë të OKB-së në Shqipëri, për të ndjekur atë nga afër dhe për të vlerësuar të rinjtë ambiciozë e vizionet e tyre si delegatë të të rinjve shqiptarë në Asamblenë e përgjithshme të OKB-së.

Për të katërtin vit radhazi United Nations Association Albania (UNAA) ishte në kërkim të një ekipi të balancuar gjinor për të ndërmarrë përsipër rolin e Delegatëve Rinorë të Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Debati Final u zhvillua midis katër të rinjve finalistë Aldi Kasmi, Marsela Delija, Ralfi Salihi dhe Leonora Ukaj, të cilët u përballën në Debatin Final të frymëzuar nga formatet e debatit presidencial të SHBA-së, duke treguar ambicie, pasion dhe dëshirë për të përcjellë zërin e të rinjve shqiptarë në diplomacinë ndërkombëtare.

Gjatë 90 minutave, debati final u përqendrua në katër segmente kryesore: Të rinjtë dhe axhenda për 2030 për zhvillim të qëndrueshëm; Paqja, siguria dhe multilaterizmi; Pabarazitë, ndryshimet klimatike e teknologjitë përçarëse dhe Mandati i delegatëve rinorë. Përgjigjet e tyre u konvertuan në pikë nga një juri profesioniste e përbërë nga mbështetësit kryesorë të Programit: Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Zyra e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, UNICEF Albania, RYCO, Kongresi Rinor Kombëtar dhe UNAA.

Pas një debati intensiv midis katër kandidatëve, fitues u përzgjodhën Marsela Delija dhe Aldi Kasmi të cilët përgjatë një mandati 12 + 6 muaj, do të kenë mundësinë të udhëtojnë në të gjithë Shqipërinë për të takuar të rinj bashkëmoshatarë, organizata dhe institucione në të njëjtën kohë duke advokuar për një të ardhme më të qëndrueshme.