Published on: 05/05/2022

Ceremonia e ndarjes së çmimeve fituese nga Leviz Albania

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Të nderuar koleg, miq dhe të rinj,

 

Më lejoni fillimisht të përgëzoj të gjithë organizatat rinore dhe të rinjtë, një pjesë e të cilëve unë i kam njohur personalisht, për përfundimin me sukses të procesit të gjatë dhe rigoroz, nga faza në fazë, të përzgjedhjes së projekt-propozimeve që bën programi Leviz Albania. Dhe t’i uroj që duke filluar nga nesër, suksesi i sotshëm individual si fitues të përkthehet në më shumë mundësi e sukses për të rinjtë dhe të rejat anembanë vendit, si dhe për fuqizimin e demokracisë vendore në tërësi.

Së dyti, edhe këtu flas tani në kapacitetin formal të ministrit përgjegjës për çështjet e rinisë, dua të falënderoj Kooperacionin Zviceran për Zhvillim dhe ekipin e projektit Leviz Albania që vendosën të dedikonin një thirrje të plotë financimi vetëm rinisë, e cila nisur nga prezantimet e sotme kuptohet që është në linjë dhe në sinergji me iniciativat dhe përpjekjen e qeverisë për të forcuar rolin dhe kontributin e të rinjve në çdo sferë të jetës.

Në këtë pikë, më lejoni t’i përmend vetëm shkurtimisht disa prej tyre.

Aktualisht, ne jemi duke finalizuar draftin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022- 2029, dokument i përgatitur si rrallë herë më parë pas konsultimeve me mbi 1200 të rinj në shkolla dhe universitete dhe me kontributin e mbi 45 organizatave rinore, duke trajtuar drejt shqetësimet dhe duke iu përgjigjur aspiratave te tyre.

Strategjia ndër të tjera, do të parashikojë specifikisht buxhetim dhe masa për:

  • mbështetjen e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje, duke filluar nga fuqizimi i Këshillave Rinor Vendor, ngritja e te cilëve po mbështetet edhe nga kjo thirrje e Leviz Albania, mbështetjen e Këshillave Studentore / Qeverive të Nxënësve, rolin e tyre në monitorimin e vetë Strategjisë,
  • Mbështetjen e vullnetarizmit dhe aktivizimin e të rinjve shqiptarë. Këtu dua të ndalem pak, meqenëse programi Leviz Albania ka mbështetur një grup organizatash të shoqërisë civile për vlerësimin dhe propozimin e rekomandimeve për përmirësimin e ligjit aktual “Për vullnetarizmin”. Ne si qeveri, bashkërisht me organizatat, kemi dy muaj qe kemi nisur një proces dialogu dhe konsultimi dhe se fundi kemi nisur punën konkrete për të përgatitur bashkërisht një pakete amendimesh ligjore, për ta kthyer ligjin jo vetëm funksional, por mbi te gjitha mundësues për vullnetarizmin në çdo formë.

 

Në Strategjinë Kombëtare të Rinisë janë parashikuar gjithashtu masa mbështetëse për krijimin dhe formalizimin e organizatave rinore, duke përfshirë mbulimin e një pjese të kostove të regjistrimit nga shteti, apo mbështetjen e studimeve dhe të dhënave për rininë përmes ngritjes se katedrave rinore në universitete. Financimin e mëtejshëm infrastrukturor rinor në bashki, përmes granteve shtetërore për rininë, që ka nisur vjet dhe do të vijojë sivjet.

Futja e kodimit që në klasë të parë dhe pagesa nga shteti për të gjithë ato të rinj që duan të ndryshojnë karrierë apo të thellojnë njohuritë e tyre në fushën e programimit, do te jene dy nisma të mëdha për të cilat po punohet aktualisht shumë dhe unë jam besimplote që do të jenë gati brenda këtij viti dhe do jenë një hap i rëndësishëm për mbështetjen e punësimit të të rinjve, duke i orientuar drejt një tregu pune, digjitalizimit, qe ka mbi 70% punësueshmëri.

E në fund mundësia, e cila është më e afërt në kohë dhe me shumë në linjë me aktivitetin e sotëm, linçimi i thirrjes se re nga Agjencia Kombëtare e Rinisë për financimin e propjekt-propozimeve rinore. Kjo thirrje këtë vit do të parashikojë akoma më shumë fonde krahasuar me një vit më parë kur u lancua si instrument. Ne aktualisht po punojmë për rishikimin e formatit të menaxhimit të thirrjes së bashku me PNUD-in, bazuar mbi metodologjinë LOD, pasi duam të garantojmë maksimalisht transparencën dhe efektivitetin në procesin e përzgjedhjes së fituesve, për të gjithë organizatat që do të aplikojnë. Unë kam besim që brenda muajit maj në do mund të mbarojmë punë me rishikimin e kuadrit ligjor dhe të mund të vijojmë me linçimin e thirrjes së aplikimeve, në të cilën afërmendsh jeni të ftuar të aplikoni të gjithë.

Dhe, për ta mbyllur këtu, nisur nga suksesi i kësaj thirrje apo dhe mbështetjes financiare se mundësuar rishtazi nga titulli Tirana Kryeqytet Evropian i Rinise për projektet rinore, dua njëkohësisht t’ju uroj dhe t’ju ftoj të bashkëpunojmë dhe krijojmë atë sinergji midis thirrjeve dhe projekteve tona që garantojnë atë sukses dhe atë impakt, të cilin asnjë projekt apo program i vetëm nuk do të mund ta realizonte dot.

 

Ju faleminderit dhe suksese fituesve!