Published on: 19/04/2024
Berat – Një vizitë në Muzeun “Onufri”
Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët së bashku me prefekten dhe deputeten e qarkut, kolegët e Bankës së Shqipërisë, drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe drejtorin e Qendrës Muzeore Berat ju bashkuan ekspozitës “Berati në shek. XVIII-XX: Zhvillimi ekonomik dhe tregtar, koleksione të kartëmonedhave lokale të qytetit, objekte me rëndësi historike të Beratit të pasqyruara në monedhën kombëtare”, në Muzeun “Onufri” në Berat. Ekspozita e kuruar në detaje nga Muzeu i Bankës së Shqipërisë dhe Qendrës Kombëtare të Muzeumeve Berat, shtoi një atraksion të ri për fëmijët, të rinjtë, por edhe turistët.
Një hapësirë e veçantë në këtë ekspozitë iu dedikua edhe edukimit financiar për fëmijët nga Banka e Shqipërisë, për t’i njohur ata me kartëmonedhat, vlerën e tyre, si të dallojnë kartëmonedhat origjinale dhe plot njohuri të tjera të përshtatura për moshën e vizitorëve të vegjël.
Duke u ndalur në këndin edukativ të ekspozitës, Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët bisedoi me një grup fëmijësh mbi edukimin financiar të brezit të ri, i cili është tepër i rëndësishëm dhe njëkohësisht një prioritet i qeverisë. Bashkërendimi i përpjekjeve ndërinstitucionale në këtë fushë është domosdoshmëri për rritjen e kulturës financiare në vend.