Published on: 29/01/2024

Balluku e Muzhaqi në panairin e arsimit dhe punës në Dibër, mundësi edukimi, trajnimi, punësimi, kulture dhe sporti për të rinjtë e Dibrës

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi organizoi një sërë aktivitetesh në qytetin e Dibrës me përfshirjen e të rinjve dhe fëmijëve të zonave përreth me fokus në informimin e të rinjve, infrastrukturën rinore dhe mirëqenien e fizike e mendore të të rinjve.

Sipari i aktiviteteve u çel me Panairin e Edukimit, Trajnimit dhe Punësimit, i cili qëndroi i hapur përgjatë ditës dhe u ofroi të rinjve mundësi të reja dhe të shumta për aftësim, ngritje kapacitetesh profesionale dhe punësim në sektorë të ndryshëm.

Panairi me një pjesëmarrje të pasur të institucioneve që ofrojnë shërbime për të rinjtë, si institucione arsimore private dhe publike, institucioneve lokale dhe vendore dhe aktorëve nga bota e biznesit dhe aktivizmit është vizituar edhe nga Zv. Kryeministrja Belinda Balluku.

Ministrja Muzhaqi duke folur për organizimin e panairit është ndalur në programet e ndryshme që ofrohen në funksion të informimit të të rinjve për mundësitë e edukimit dhe punësimit.

“Ne kemi ftuar rreth 30 aktorë të ndryshëm që fillojnë nga universitetet publike dhe ato private, si dhe institucione e shoqata të ndryshme. Janë programet tona si AKPA-ja, Programi i Kodimit, Programi i Praktikave që të rinjtë kanë mundësinë të ulen dhe të mësojnë në panair për fusha të ndryshme dhe mundësitë që ne ofrojmë. Synimi i aktivitetit është që duke bashkuar qoftë sektorin privat, qoftë sektorin publik t’ju orfrojmë të rinjve mundësinë që të bashkëbisedojnë dhe të kuptojnë se silat janë mundësitë që kanë jo vetëm më Dibër, por në të gjithë Shqipërinë”, tha ministrja Bora Muzhaqi.

Më tej ministrja Bora Muzhaqi thekson se panairi vjen si një masë e Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029, për të informuar të rinjtë rreth mundësive reale eqë ekzistojnë në Bibër, por jo vetëm.

“Panairi i Edukimit, Trajnimit dhe Punësimit është një nismë kombëtare në kuadër të zbatimit të SKR29, dedikuar të rinjve, informimit të tyre mbi mundësitë lokale dhe kombëtare, për t’ju lehtësuar hyrjen në tregun e punës. Deri më tani janë realizuar 6 panaire, në Kukës, Sarandë, Vlorë, Shkodër, Tiranë, Korçë. Mbështetja për të rinjtë mbetet fokusi kryesor i punës sonë të përditshme, andaj kjo nismë do të vijojë të shtrihet në çdo qark, për të prezantuar të rinjtë me programe dhe mundësi trajnimi e punësimi në sektorë të ndryshëm.” deklaron Bora Muzhaqi.

Për Zv. Kryeministren Balluku e cila është edhe drejtuese politike e PS për qarkun Dibër, duhet që të rinjtë të informohen dhe sqarohen se sa e rëndësishme është shkolla profesionale, pasi është edhe në fokus të qeverisë.

“Në buxhetin 2024 ka fonde dedikuar si për rikonstruksionin e shkollave profesionale, ashtu dhe për rikonstruksionin e konvikteve dhe sidomos për sektorin energjetik është shumë e rëndësishme që një pjesë e nxënësve pas shkollës 9-vjeçare të vendosin që të zgjedhin arsimin profesional. Ne duhet të kemi elektricistët apo teknikët të cilët mund të fillojnë menjëherë pas shkollës së mesme profesionale të bëhen pjesë e skuadrave të energjisë. Nga ana tjetër duke u dhënë atyre më pas mundësinë që të shkollohen edhe me arsimin e lartë përmes bursave që vetë kompanitë do të vënë në dispozicion. Pra kemi një plan afatgjatë, një plan i cili nis në 2024 nga infrastruktura shkollore dhe deri tek bursat arsimore, të cilat mund të vijnë përmes ndërmarrjeve që duan të rrisin të gjithë skuadrat që do ti bashkohen në të ardhmen”, ka thënë Zv. Kryeministrja Balluku.

Ministrja Bora Muzhaqi theksoi se Programi Kombëtar i Praktikave të Punës nuk zbatohet vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë dhe ka si fokus që të rinjve t’u jepet akses në administratën shtetërore.

“U lejon të kenë akses për një periudhë prej 3 muajsh dhe më tej ata punësohen me një kontratë njëvjeçare duke filluar kështu rrugëtimin në administratë. Tani kemi filluar edhe me shoqëritë tregtare dhe OJF për tu krijuar mundësi më shumë të rinjve përtej punës në shtet”, tha ministrja Bora Muzhaqi.