Published on: 09/04/2025
Konferenca Rajonale për Kujdesin Ndaj Fëmijëve, Muzhaqi: “Politikat për fëmijët duhet të jenë me ndikim afatgjatë dhe gjithëpërfshirës”

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, mori pjesë në Konferencën Rajonale “Përshpejtimi i Reformave të Kujdesit për Fëmijët drejt Anëtarësimit në Bashkimin Europian”, mbajtur në Tiranë, së bashku me përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe organizatat ndërkombëtare. Konferenca shërbeu si një platformë për të diskutuar përparimin dhe sfidat në forcimin e politikave për mbrojtjen e fëmijëve në rajon.
Gjatë panelit “Reformat në Kujdesin ndaj Fëmijëve gjatë Procesit të Anëtarësimit në BE dhe Përshpejtimi i Kuadrit të Garancisë për Fëmijët”, ministrja Muzhaqi theksoi rolin që ka luajtur Shqipëria si një nga vendet e para që është përfshirë në këtë proces falë një strukture të dedikuar qeveritare. Ajo ndau përvojën me Garancinë për të Rinjtë, aktualisht në zbatim në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë, si dhe dy programe të rëndësishme për fëmijët: aktivitetet jashtë orarit mësimor për art dhe zeje, dhe “Programi i Ekipeve Sportive”, që kanë ndikuar pozitivisht në zhvillimin e talenteve të fëmijëve dhe në mirërritjen e tyre nëpërmjet ushtrimit të sporteve.
Sipas ministres, këto aktivitete ofrojnë një mbështetje të dyfishtë, për fëmijët që qëndrojnë më gjatë në një mjedis të sigurt si edhe për prindërit qëfitojnë më shumë kohë për të punuar.
Në fjalën e saj, Muzhaqi vuri theksin te rëndësia e politikave të ndërtuara mbi dëgjimin e nevojave reale të prindërve dhe fëmijëve, duke theksuar se: “Garancia për Fëmijët duhet të jetë një proces që u përket vetë fëmijëve dhe prindërve. Kjo kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional dhe angazhim të përhershëm për monitorimin dhe vlerësimin e rezultateve. Nuk mjafton të vendosim objektiva, duhet t’i ndjekim dhe t’i realizojmë me ndikim afatgjatë”.