Published on: 22/07/2024

Titulli: Ministrja Muzhaqi në Tiranë dhe Kamëz: Rinia në qendër të reformave për Ligjin e Rinisë dhe Vullnetarizmit

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi po vazhdon me vendosmëri konsultimet në çdo cep të Shqipërisë për të formësuar Ligjin “Për Rininë” dhe “Për Vullnetarizmin” për të reflektuar aspiratat dhe nevojat e të rinjve të vendit tonë.

Takimet e hapura të turit “Rinia Ndryshon Ligjet” me të rinjtë e Tiranës dhe më pas të Kamzës i shtuan një tjetër dimension në procesin e rishikimit të kuadrit ligjor për rininë dhe vullnetarizmin, ku u diskutua mbi mënyrat konkrete se si rinia mund të luajë një rol më aktiv dhe vendimtar në proceset politike dhe shoqërore, si dhe u përqendruan në krijimin e mundësive për zhvillimin e kapaciteteve të të rinjve.

Ministrja Muzhaqi theksoi “Rinia është forca lëvizëse e shoqërisë dhe se zëri i tyre duhet të dëgjohet fuqishëm në çdo nivel”, duke shtuar më tej “përfshirja e rinisë në iniciativa që nxisin ndryshime pozitive në komunitet si Ligji “Për Rininë” dhe Ligji “Për Vullnetarizmin” është mekanizmi i duhur për ndryshime të qëndrueshme”.

Për sa i përket ndryshimeve në kuadrin ligjor, Ministrja Muzhaqi shprehet se këto takime janë thelbësorë për të siguruar që legjislacioni i ri të jetë gjithëpërfshirës dhe të pasqyrojë realitetin dhe nevojat e të rinjve shqiptarë. Ajo garantoi se do të vazhdojë të angazhohet me rinjtë edhe në qytete të tjera për të garantuar një proces të drejtë dhe në përputhje me tipologjitë e Bashkimit Evropian për një hap më pranë Shqipëria 2030.