Published on: 06/07/2024

Rishikimi i ligjit ‘Për Rininë’, ministrja Muzhaqi në Lushnjë e Kuçovë: Reflektojmë sugjerimet e të rinjve

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi pas takimeve me të rinjtë në Kurbin dhe Shkodër, është ndalur këtë herë në Lushnje e në Kuçovë në kuadër të turit të konsultimeve “Rinia Ndryshon Ligjet” për rishikimin e ligjit “Për Rininë” dhe “Për Vullnetarizmin”.

Ministrja Muzhaqi e cilësoi këtë bashkëbisedim me të rinjtë e qytetit të Lushnjes dhe Kuçovës dhe zonave përreth konstruktiv e të frytshëm, ku të rinjtë shprehën rekomandimet dhe sugjerimet e tyre për përmirësimin e kuadrit ligjor.

“Çdo koment, sugjerim dhe rekomandim u mbajt shënim për t’u reflektuar në draft ligje” shprehet ministrja Muzhaqi, teksa shton se pas bisedimeve, të rinjtë plotësuan anketa që thelluan më tej sugjerimet e tyre për përmirësimin e kuadrit ligjor, duke garantuar që nevojat dhe aspiratat e tyre të reflektohen në legjislacionin e ri.

Turi “Rinia Ndryshon Ligjet” synon të sigurojë që zëri i të rinjve të dëgjohet dhe të përfshihet në procesin e rishikimit të ligjeve që i prekin ata drejtpërdrejt, njëjtë me praktikën e ndjekur nga Ministrja Muzhaqi edhe në hartimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë.