Published on: 23/10/2023

FJALA E PLOTË E MINISTRES MUZHAQI NË KONFERENCËN ICPD30 TË MBAJTUR NË GJENEVË

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

E nderuar Znj. Kryetare
E nderuar Znj. Bauer
E nderuar Znj. Warth,
Të nderuar kolegë, delegatë dhe të ftuar
Jam thellësisht e nderuar të përfaqësoj Shqipërinë në këtë event të paharrueshëm, 30 vjetorin e ICPD. Gjatë tre dekadave të fundit, ICPD ka qenë thelbësore në formësimin e politikave dhe strategjive globale në lidhje me popullsinë dhe zhvillimin, dhe mbetet sot po aq e rëndësishme sa ishte në vitin 1994.
Teksa mblidhemi këtu për të diskutuar progresin dhe sfidat me të cilat përballet popullata jonë dhe përpjekjet tona për zhvillim gjithëpërfshirës brenda vendeve tona dhe nëpërmjet veprimeve tona të përbashkëta ndërkombëtare, besoj se është e rëndësishme të nënvizoj se në kohë të tilla trazirash globale dhe krizash, angazhimi i vendit tonë dhe përafrimi me parimet e ICPD-së është i palëkundur dhe zhvillimi i Shqipërisë gjatë dekadave të fundit është shembulli real i një qasjeje të tillë.
Duke folur për progres konkret, jam e lumtur të informoj këtë se Shqipëria ka plotësuar pjesën më të madhe të angazhimeve të saj ndaj ICPD25, duke filluar nga miratimi dhe zbatimi me sukses i Ligjit për Rininë, i cili ka rritur fuqizimin, aktivizmin rinor dhe mirëqenien e të rinjve. Bazuar në Ligjin për Rininë kemi krijuar një skemë të re financimi që aktualisht mbështet projektet e OSHC-ve dhe projektet e bashkive për ndërtimin e infrastrukturës rinore dhe hapësirave miqësore për të rinjtë. Tani, jemi në thirrjen e tretë të financimit dhe jam shumë e lumtur të theksoj se institucionet tona partnere: UNFPA, UNDP, UNICEF janë bashkuar në këtë proces, përmes mbështetjes dhe financimit të tyre. Dua të shpreh mirënjohjen time të përzemërt ndaj familjes së OKB-së për mbështetjen e palëkundur në fuqizimin e të rinjve shqiptarë dhe përmirësimin e kushteve të tyre sociale.
Strategjia Kombëtare për Rininë, e themeluar me të rinjtë dhe shoqërinë civile, ka si shtyllë promovimin e mirëqenies aktive, të shëndetshme, fizike, sociale dhe mendore të të rinjve dhe ofron një plan veprimi të qartë dhe të mirëpërcaktuar për arritjen e këtij qëllimi përgjatë 6 viteve të ardhshme. Zbatimi i suksesshëm i strategjisë kërkon angazhimin, kontributin dhe partneritetin ndërmjet institucioneve shtetërore, rrjeteve dhe strukturave të përfaqësimit të të rinjve, shoqërisë civile dhe vetë të rinjve. Procesi tashmë ka filluar, por ky është vetëm hapi i parë.
Sot, ne ofrojmë “shërbime miqësore për të rinjtë” për t’u siguruar që të rinjtë të kenë akses në shërbimet shëndetësore në mënyrë efektive.
Në përgjigje të thirrjes së ICPD25 për të adresuar dhunën me bazë gjinore dhe për të promovuar barazinë gjinore, Shqipëria ka krijuar mekanizma qendrorë dhe lokalë për të luftuar dhe referuar dhunën me bazë gjinore. Shqipëria ka bërë ndryshime të rëndësishme në ligjin e saj për dhunën me bazë gjinore, duke ofruar mbrojtje më të madhe për gratë, vajzat dhe grupet e tjera vulnerabël brenda territorit të saj. Regjistri Kombëtar i për të dënuarit seksualë u miratua në korrik 2022 pas një votimi anonim.

Gjatë gjithë këtyre viteve, kurrikula jonë gjithëpërfshirëse e arsimit është integruar me sukses në sistemin arsimor, duke trajtuar shëndetin seksual, riprodhimin, abuzimin ndaj substancave dhe nxit mirëqenien gjithëpërfshirëse.
Në fund, dua të vlerësoj edhe një herë këtë mundësi të madhe për të ndarë përvojat tona dhe për të diskutuar sfidat tona të përbashkëta, sepse siç kanë treguar vitet e kaluara progresi është i mundur kur punojmë së bashku me përkushtim për një vizion të përbashkët, për të ndërtuar një botë më të barabartë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për të gjithë ne.
Faleminderit dhe konferencë të mbarë!