Published on: 26/02/2024
Strategjia për rininë/ Nga programi i kodimit, praktikat e punës e garancia rinore, ministrja Muzhaqi bën ‘bilancin’: Ja sa të rinj përfituan
Ministrja për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi ka bërë një analizë të punës së Strategjisë Kombëtare për Rininë. Muzhaqi tha se janë ngritur 61 këshilla vendorë rinor, si edhe janë mbështetur 47 organizata rinore me projekte rinore të zbatuara në gjithë Shqipërinë.
Në fjalën e saj, Ministrja u shpreh se përmes kësaj strategjie është zhvilluar programi i praktikave të punës, programi i kodimit si edhe garancia rinore.
“Kemi zhvilluar programin kombëtar të praktikave të punës për të hapur dyert e administratës për të rinjtë, kemi mbështetur të rinjtë në fushën e teknologjisë me anë të programit të kodimit, është pilotuar programi flamur i Bashkimit Evropian i garancisë rinore për të gjithë ata të rinjtë që ende nuk kanë gjetur rrugën e duhur të karrierës, është themeluar agjencia e start-upeve dhe fondet për startup-et që mbështesin sipërmarrjen e të rinjve, si dhe shumë nisma janë ndërmarrë për ndërkombëtarizimin e universiteteve për ofrimin e diplomave të dyfishta”, tha Muzhaqi.
Po ashtu, Ministrja shtoi se 10 mijë të rinj janë angazhuar në programin e ekipeve sportive në shkolla, si edhe 10 mijë të rinj që janë angazhuar në programin jashtë orarit mësimor në art, zeje, e teknologji.“
Për të rritur mirëqënien e të rinjve janë ndërmarrë inciativa si paketa e sigurisë në shkolla, programi i ekipeve sportive që përfshin 10,000 të rinj të angazhuar në basketboll dhe volejboll me stërvitje 3 herë në javë, pa asnjë kosto për prindërit. Ndërkohë për të zhvilluar talentet e të rinjve, kemi zbatuar programin jashtë orarit mësimor që ka angazhuar 10,000 të rinj në art, zeje, e teknologji. E mbi të gjitha jemi koordinuar që siguria dhe mirëqënia e të rinjve të jetë kryefjalë e çdo politike”, tha Muzhaqi.
Sa i takon programit të kodimit, ministrja ta se kanë përfituar 1200 të rinj, ndërsa 1700 të tjerë kanë përdituar nga programi i praktikave të punës.“Prandaj gjatë vitit të parë të zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Rinisë, dizenjuam dhe zbatuam në bashkëpunim me AKPA, Programin e Kodimit, me anë të së cilit në vetëm një vit kemi mbështetur mbi 1200 të rinj të cilët janë financuar për të marrë pjesë në kurse afatshkurtra dhe intensive që i kanë kthyer ata në programuesit e të ardhmes. Kryeministrit i premtuam që do të kishim 1000 përfitues në këtë program përgjatë vitit të parë, po në fakt gjatë 2023-shit arritëm të mbështetnim 1285 individë duke i aftësuar në programim, përmes angazhimit të akademive më të mira në botë. Ky program do të vijojë ritmin e shpejtë të krijimit të profesionisteve në fushën e teknologjisë së informacionit duke i siguruar tregut të gjithë kapitalin njerëzor të kërkuar, jo vetëm nga kompanitë ndërkombëtare që veprojnë tashmë në Shqipëri si Lufthansa, Siemens, apo Ritech, por edhe për kompani e huaja simotra që do të tërhiqen nga kapitali njerëzor që po përgatitet në këtë fushë, kombinuar me dijet në gjuhët e huaja që shqipëtarët i kanë pasur dhe vijonë ti kenë një aset që çudit botën mbarë”, tha Muzhaqi.