Published on: 23/10/2023

Gjenevë/ Muzhaqi: mbi 4600 aplikime në Programin e Kodimit. Progresi në fushën e rinisë vlerësohet pozitivisht nga ndërkombëtarët.

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi në Konferencën e 30-të Ndërkombëtare: “Popullsia dhe Zhvillimi: Sigurimi i të drejtave dhe zgjedhjeve” (ICPD 30), pjesë në panelin e parë mbi mbi demografinë dhe demokracinë ku prezantoi politikëbërjen e Shqipërisë për të rinjtë.

Në fjalën e saj Ministrja Muzhaqi evidentoi përparimin që ka bërë Shqipëria ndaj angazhimeve të ICPD 25 për angazhimin, pjesëmarrjen dhe fuqizimin e të rinjve, duke evidentuar miratimin e Ligjit për Rininë.

“Si Ministre përgjegjëse për Rininë në Qeverinë Shqiptare, jam shumë e lumtur të evidentoj se kemi përparuar shumë drejt përmbushjes së angazhimeve të ICPD 25, për angazhimin, pjesëmarrjen dhe fuqizimin e të rinjve për një brez të fortë dhe të shëndetshëm. Ligji për Rininë është miratuar në vitin 2019 dhe kuadri ligjor përkatës është finalizuar në vitin 2021.
Kuadri i ri ligjor ka qenë instrumental në ndërtimin dhe funksionalizimin e një sistemi krejtësisht të ri të mbështetjes dhe organizimit në çdo pjesë të vendit, i cili i ka fuqizuar vajzat dhe djemtë tanë të rinj të angazhohen dhe të kontribuojnë në mënyrë efektive në jetën dhe zhvillimin e komuniteteve të tyre.” u shpreh Muzhaqi

Në kuadrin ri ligjor, ministrja Muzhaqi theksoi se janë parashikuar skema të reja për mbështetjen financiare të infrastrukturës rinore dhe organizatave rinore.

“Kuadri i ri ligjor ka parashikuar skema të reja mbështetëse financiare për ndërtimin e infrastrukturës rinore dhe mbështetjen e OSHC-ve rinore, i cili ofron mjetet për rritjen e rolit dhe angazhimit të tyre çështjet e lidhura me të rinjtë në nivel politikash dhe komuniteti. Në këtë drejtim, dua të theksoj gjithashtu se tani jemi në thirrjen tonë të tretë vjetore të financimit dhe institucionet tona partnere UNFPA, UNDP, UNICEF janë bashkuar në përpjekjet tona, duke ofruar mbështetjen dhe financimin e tyre për OSHC-të shqiptare, në kuadër të këtij procesi.” tha Muzhaqi

Muzhaqi vijoi të referonte politikëbërjen për të rinjtë, me një rëndësi të veçantë në Strategjinë Kombëtare të Rinisë, e hartuar nga të rinjtë për të rinjtë.

“Kemi miratuar me sukses Strategjinë Kombëtare për Rininë 2022-2029, e zhvilluar përmes një procesi konsultimesh njëvjeçar me mbi 1500 të rinj nga i gjithë vendi dhe rreth 50 OSHC. Strategjia është e organizuar në 3 shtylla duke përfshirë fuqizimin e të rinjve; inovacion dhe përmirësimin e aftësive; dhe mirëqenien e rinisë.” u shpreh ministrja përgjegjëse për rininë, duke u ndalur specifikisht në një nga qëllimet e Strategjisë Kombëtare të Rinisë “Shtylla e dytë të strategjisë fokusohet në mbështetjen e inovacionit të të rinjve dhe rritjen e aftësive të tyre përmes arsimit cilësor në TIK dhe zhvillimin dixhital, duke kontribuar kështu në aftësitë për punësim cilësor, rritjen e autonomisë së tyre dhe suksesit në jetë, përtej sfondit të tyre social dhe ekonomik, drejt arritjes së objektivave 4 dhe 8 të zhvillimit të qëndrueshëm.”

Më tej, ministrja referoi masa dhe nisma specifike të ndërmarra për fuqizimin e të rinjve.

“Në këtë drejtim kemi filluar zbatimin e Programit të Kodimit në Janar 2023, i cili mbështet të rinjtë me subvencionim 50% ose 100% për të ndjekur kurse afatshkurtra profesionale në TIK dhe për të zhvilluar aftësitë e tyre në punët e së ardhmes. Në 10 muaj, kemi mbi 4600 aplikime dhe 900 të rinj, që janë tashmë pjesë e këtij programi të ri për të ndryshuar e karrierën.“ u shpreh Muzhaqi.

Shëndeti dhe mirëqenia e të rinjve është një tjetër angazhim i Shqipërisë ndaj ICPD 25 për të cilën Muzhaqi tha:

“Një angazhim tjetër i bërë në ICPD 25 përfshin sigurimin e aksesit në shëndetin dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese, veçanërisht për popullatën vulnerabël në Shqipëri, e parashikuar edhe si pjesë e shtyllës së tretë të Strategjisë Kombëtare për Rininë, e fokusuar në mirëqenien e të rinjve.” dhe vijoi më tej duke shpjeguar Programin Ekipet Sportive në Shkolla dhe Programin Jashtë Orarit Mësimor.

“Për sa i përket shëndetit, mirëqenies dhe përfshirjes sociale, Programi i Ekipeve Sportive në Shkolla, që ofron akses falas në sport në të gjithë Shqipërinë, është tashmë në vitin e dytë të zbatimit. I nisur në vitin 2022, ai angazhoi rreth 10,000 fëmijë dhe të rinj, duke kulmuar në një kampionat volejbolli dhe basketbolli në nivel kombëtar. Gjithashtu, zbatimin e Programit Jashtëshkollor për të ofruar aktivitete falas pas shkollës për fëmijët dhe të rinjtë, duke përfshirë artet, zanatet, mjedisin, bujqësinë, teknologjinë dhe fuqizimin përmes vetëmbrojtjes, duke synuar nxitjen e angazhimit pro-social të komunitetit, rritjen e të mësuarit, nxitjen e gatishmërinë në karrierë dhe mbështesin shëndetin fizik dhe psiko-social. Ky program filloi në janar 2023 në 200 shkolla në Shqipëri, duke ofruar 1041 kurse me mbi 10,000 studentë pjesëmarrës.” tha Muzhaqi.

Në mbyllje të fjalës, Muzhaqi theksoi progresin e Shqipërisë për të rinjtë, me të cilin u njoh në Bruksel në Indeksit e Progresit Rinor.

“Unë vij në këtë konferencë nga një tjetër ngjarje e madhe e organizuar nga Forumi Rinor Evropian për të lançuar Indeksin e tyre më të ri të Progresit Rinor, i cili vlerësoi të dhënat nga mbi 150+ vende në lidhje me nevojat themelore njerëzore, themelet e mirëqenies dhe mundësive. Ndërsa rezultatet përgjithësisht tregojnë një progres të ngrirë për të rinjtë në Evropë, Shqipëria ishte një nga vendet me përmirësimin më të rëndësishëm në dymbëdhjetë vitet e fundit, duke u renditur në 3 vendet e para për normën e përmirësimit dhe duke fituar 8 pozicione në renditjen e saj absolute.
Edhe pse rezultatet janë premtuese për sa i përket progresit, dua të theksoj se kur bëhet fjalë për të rinjtë, ne gjithmonë mund dhe duhet të bëjmë më shumë.“ tha Muzhaqi.