Published on: 28/10/2023

Shkodër, Panairi i Punës/ Muzhaqi: Panair në çdo qark për fuqizimin, informimin dhe zhvillimin akademik e profesional të të rinjve. Shkodra një ndër tre qytetet ku do të pilotohet Garancia Rinore

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi në kuadër të nismës “Panair në çdo qark”, ka organizuar ditën e sotme Panairin për edukim, trajnim dhe punësim në qytetin e Shkodrës, së bashku me Kryetarin e Bashkisë, Benet Beci në ambientet e Bashkisë Shkodër, me një pjesëmarrje masive të të rinjve të Shkodrës.

Teksa Bashkia e Shkodrës gëlonte nga zërat e të rinjve të pranishëm me qëllim të mësonin më shumë rreth mundësive për ta, Ministrja Muzhaqi vlerësoi pozitivisht angazhimin e të rinjve si dhe iu dha lajmin e mirë që Shkodra është një ndër tre qytetet ku do të pilotohet Garancia Rinore.

“Përveç prezantimit me projektet kombëtare dhe ofertat lokale, sot dua t’ju jap një lajm të mirë. Është lançuar Garancia Rinore në kuadër të së cilës Shkodra është një ndër tre qytet ku do të pilotohet. Garancia Rinore siguron që të rinjtë që nuk janë në arsim, trajnim apo punësim, brenda një periudhe 4 mujore të përfitojnë një prej tre mundësive sipas nevojave të tyre.” tha Muzhaqi, e cila theksoi se ky aktivitet është pjesë e nismës Panair në çdo qark me qëllim informimin e të rinjve për mundësitë që ekzistojnë.

Në panair ishin të pranishëm mbi 30 aktorë që ofrojnë shërbime për të rinjtë, për t’i informuar të rinjtë rreth shërbimeve të tyre, si edhe për t’u ofruar atyre mundësi punësimi.