Published on: 12/01/2023
Konferenca për arritjet, sfidat 2022 dhe objektivat 2023
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi prezantoi arritjet për të rinjtë dhe fëmijët, si edhe objektivat për vitin 2023.
Në konferencën për mediat, Muzhaqi njoftoi se këtë vit në shkolla të të gjithë vendit do të shtohen 884 laboratorë të rinj smart, në kuadër të programit të kodimit. Ndërkohë, vetëm një vit me parë ky program u vu në jetë me 100 laboratorët e parë për 270 klasat e para. Ministrja theksoi se këtë vit do të punohet edhe për kurikulën e lëndës TIK për klasat e dyta dhe të treta dhe do të rishikohet kurikula për klasat e tjera që studiojnë TIK. Ky program realizohet në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
“Në fillim të vitit shkollor 2022-2023 u realizuan 100 laboratorë inteligjentë në 100 shkolla, në 34 qytete të Shqipërisë, që u ofrojnë nxënësve të këtyre shkollave mundësinë të mësojnë lëndën e teknologjisë së informacionit në kushte moderne të barabarta me bashkëmoshatarët e tyre evropian.
“Vizioni për vitin 2023 është zgjerimi i mëtejshëm i këtij programi. Me fillimin e vitit të ardhshëm shkollor do të fillojë gjerësisht zbatimi i kurikulës në klasë të parë, përtej 100 shkollave që ishin pjesë e pilotimit të këtij viti. Ky program është realizuar si një investim i përbashkët i qeverisë shqiptare dhe i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim”, u shpreh ministrja Muzhaqi.
Një tjetër program që do t’u shtohet të rinjve shqiptarë janë kurset profesionale për teknologjinë, të cilat do të mbështeten nga qeveria. Ministrja theksoi se mbështetja do të variojë nga 150 mijë lekë deri në 300 mijë lekë. Ndërkohë, për të rinjtë me aftësi të kufizuar do të ofrohet edhe një mbështetje shtesë në vlerën 200 mijë lekë për të siguruar akses të barabartë. Muzhaqi njoftoi se aplikimi për këto kurse do të nisë së shpejti dhe do të bëhet online përmes portalit qeveritar e-Albania.
Ministrja Muzhaqi shtoi se Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, për të shtatin vit rradhazi, u jep mundësinë të rinjve të zhvillojnë praktikë në institucione shtetërore, njësitë e qeverisjes vendore, shoqëri tregtare dhe OJF, në një periudhë 3 mujore, pasi kanë përfunduar studimet bachelor.
Duke u ndalur te statistikat, këtë vit me anë të këtij programi, u vunë në dispozicion të të rinjve plot 1,700 pozicione praktikash, për të zhvilluar eksperiencat e para në tregun e punës. 1,000 të rinj aplikuan për t’u bërë pjesë e programit të praktikave të punës dhe 457 rezultuan të suksesshëm dhe filluan praktikënn në 238 institucione pritëse.
Qëllimi i këtij programi është krijimi i aksesit të të rinjve në aparatet e institucioneve shtetërore të cilat shpesh shihen si të vështira për t’u arritur nga të rinj pa eksperiencë pune. Të rinjve më të dalluar u ofrohet mundësia e punësimit me kontrata 1 vjeçare pranë institucioneve pritëse ku kanë kryer praktikën. Për ata që nuk arrijnë të sigurojnë një kontratë punësimi, sërish pajisen me një certifikatë që u shërben për të pasuruar CV-në e tyre dhe u shërben për aplikimet e ardhshme të punës.” u shpreh ministrja Muzhaqi.
Nisur nga kërkesat e të rinjve, fëmijëve dhe prindërve gjatë takimeve të zhvilluara në qytete të ndryshme, për t’i ofruar atyre programe jashtëshkollore ministrja tha se ky projekt do të fillojë implementimin që nga janari i këtij viti. Muzhaqi theksoi se kurset do të jenë totalisht falas dhe do të nisin në 200 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme në të gjithë vendin. Fëmijët dhe të rinjtë do të kenë mundësi të ndjekin kurse në art, zeje, teknologji, sport, dhe permakulturë.
“Nisur nga këto kërkesa, por edhe nga dëshira për t’i ofruar çdo fëmije fillim të barabartë në jetë, për të lejuar që çdo fëmijë të mund të ketë mundësi të ndjekë kurse pas-shkolle, kemi konceptuar programin jashtë orarit mësimor, i cili përfshin kurse në pikturë, muzikë, kor, teatër, zeje, teknologji, sport dhe permakulturë.
Duke filluar nga ky muaj, në 200 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme, fëmijët dhe të rinjtë do mund të zhvillojnë kurse pas shkolle në fushën e dëshiruar pa pagesë.” u shpreh Muzhaqi.
Muzhaqi theksoi gjithashtu se gjatë vitit 2022 janë krijuar rreth 700 ekipe sportive në të gjithë Shqipërinë në volejboll dhe basketboll, për vajza dhe djem, me pjesëmarrjen e rreth 10,000 nxënësve në shkollat 9-vjeçare e të mesme.
“Të gjithë ekipet janë pajisur me uniforma dhe bazë materiale të mbuluara tërësisht nga fondi i Qeverisë Shqiptare. Ekipet stërviten tashmë rregullisht në kuadër të kampionateve në nivel bashkie, qarku dhe kombëtar që do të zhvillohen përgjatë këtij viti.” tha Muzhaqi
.
E pranishme në konferencë ishte edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, e cila sëbashku me ministren Muzhaqi u zotuan se do të bëjnë më shumë për të rinjtë, e ndërsa prioritet do të mbetet edhe sporti.
Fjalimi i ministres Muzhaqi u mbyll me një mesazh për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë.
“Këmbëngulni çdo ditë për të ndjekur stërvitjet, për të forcuar aftësitë tuaja sportive, për të krijuar ekipe dhe shoqëri që zgjasin përtej ndeshjeve, për të mësuar se veç me përpjekje, sakrifica dhe punë, ëndrrat mund të arrihen. Dhe ne ju premtojmë, që do këmbëngulim çdo ditë që ju të keni mundësi edhe më të mëdha për të zbuluar dhe zhvilluar talentet tuaja.” ishte mesazhi i ministres Bora Muzhaqi.