Published on: 24/01/2023
Inaugurimi i dy shkollave të reja në Tiranë
Në ditën ndërkombëtare të arsimit, 24 janar, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, mori pjesë në inaugurimin e dy shkollave në Tiranë. Shkolla 9-vjeçare “Kiço Blushi” dhe gjimnazi “Sevasti Qiriazi” janë dy shkollat më të reja që i shtohen kryeqytetit, të cilat vitin e ardhshëm shkollor do mund të jenë pjesë e programeve më të reja të ofruara për fëmijët dhe të rinjtë.
Lajmi u bë me dije nga ministrja Muzhaqi, e cila tha se programi do të nisë nga viti i ardhshëm.
“Jo më larg se shtatorin e kaluar ne filluam Programin e Kodimit në 100 shkolla në të gjithë Republikën Shqipërisë. Investuam në laboratorë të rinj, në kurikulë të re mësimore, trajnuam mësuesit në mënyrë specifike dhe do të jetë shumë bukur që vitin e ardhshëm t’i kemi dhe këto dy shkolla si pjesë e këtij programi.”
“Ditën e djeshme bashkë me ministren Kushi prezantuam një program të ri, Programin e Kodimit për të rinjtë”, duke theksuar hapjen e aplikimeve të Programit të Kodimit për të Rinjtë, Muzhaqi u bëri thirrje edhe një herë të gjithë të rinjve të aplikojnë në kurset e formimit profesional me mbështetje financiare nga Qeveria Shqiptare. “Të gjithë ata të rinj që kanë dëshirë të bëhen pjesë e këtij programi dua t’ju them sërish që aplikimet janë të hapura dhe mund të aplikojnë nga portali e-Albania në shërbimin ‘Aplikim për Kursin e Formimit Profesional me mbështetje financiare’.
“Jam shumë e gëzuar që tashmë kemi një larmishmëri programesh me hapësira tepër moderne e bashkëkohore duke mundësuar kështu që fëmijët dhe të rinjtë tanë të studiojnë e profesionalizohen në kushte të barabarta me bashkëmoshatarët e tyre evropianë” u shpreh Muzhaqi.
Muzhaqi komentoi edhe terrenet sportive në këto shkolla, duke thënë se edhe nxënësit e këtyre dy shkollave do mund të bëhen pjesë edhe e Programit të Ekipeve Sportive.
“Gjatë inspektimit vura re palestrat fantastike, terrenet sportive që janë ndërtuar në shkollën 9-vjeçare ashtu edhe në gjimnaz. Kjo do të thotë që pse jo edhe këto shkolla të jenë pjesë e Programit të Ekipeve Sportive. Pse jo të luajnë në nivel profesionist, për të filluar nga faza amatore dhe të bëhen ata që ngrejnë flamurin tonë në të gjitha vendet e botës. Mezi pres që të kemi këta të rinj që angazhohen në ekipe sportive.” tha Muzhaqi.
Me klasa moderne dhe terrene sportive, të cilat mund të përdoren pas mësimit edhe nga komuniteti, këto dy shkolla hapën dyert me një kapacitet prej 1500 nxënësish.