Published on: 16/06/2022

Nënshkruhet Marrëveshja për Bashkëpunim në Fushën e Rinisë mes Shqipërisë dhe Kosovës, Muzhaqi: Më të përbashkuar nëse bëjmë bashkë të rinjtë tanë

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe ajo e Kosovës janë zotuar të bashkëpunojnë në fushën e rinisë, në mbështetje të politikave dhe programeve të përbashkëta, si dhe të nismave rajonale dhe evropiane, në mbledhjen e tetë mes dy qeverive, të hënën e 20 qershorit.

Në fjalën e saj, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, u shpreh se është hartuar një plan i mirë sa i përket angazhimit të të rinjve në dy vendet respektive, me qëllim fuqizimin e tyre në vendimmarrjen qendrore dhe vendore, nëpërmjet politikave më të mira për ta.

“Kjo marrëveshje krijon ura bashkëpunimi edhe për aktivitetet tona të përbashkëta që përfshijnë rritjen e mundësive për shkëmbime rinore duke filluar nga të rinjtë tanë artistë e sportistë, por edhe në evente të tjera kulturore, në kuadër të edukimit joformal apo aktiviteteve të ndryshme që organizojmë bashkërisht”, deklaroi Muzhaqi.

Element i rëndësishëm në këtë bashkëpunim do të jetë dhe mbështetja në zhvillimin e karrierës dhe aftësive profesionale të të rinjve, sipas ministres.

“Ne besojmë fort se duke bërë bashkë të rinjtë tanë, edhe ne si vende do të jemi më të përbashkuar”.
Gjatë mbledhjes, Qeveria e Kosovës ravijëzoi se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës ka punuar ngushtë me Ministrin e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët në Republikën e Shqipërisë, për të thurur të gjitha modalitetet për një bashkëpunim të thelluar mes të rinjve dhe të të dy vendeve.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Hajrulla Çeku, deklaroi se kjo nismë po ndërtohet mbi një bashkëpunim të suksesshëm dhe në një linjë të përbashkët me mekanizmat rinor në rajon dhe në Evropë.

Me qëllim konkretizimin e bashkëpunimit për zbatimin e një programi gjithëpërfshirës në fushën e rinisë, qeveritë e dy vendeve u angazhuan të vijojnë nismat e ndërmarra në përputhje me Deklaratën e Përbashkët për Bashkëpunim dhe Partneritetit Strategjik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, nënshkruar në Prizren, më 14 janar 2014.