Published on: 04/04/2022

“196 të rinj janë punësuar në administratën publike dhe kompani tregtare”, Muzhaqi në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për Praktikat e Punës

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Ministrja e Shteti për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, bashkë me ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, të hënën e 4 prillit, kanë shpërndarë certifikatat në kuadër të Thirrjes së Gjashtë të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës.
Në fjalën hapëse të mbajtur në ambientet e Micro-Folie, Muzhaqi tha se 196 të rinj janë punësuar tashmë në administratën publike dhe kompani tregtare, si rezultat i arritjeve të treguara gjatë praktikës 3-mujore të punës.
Ndërsa sqaroi më tej se 376 të rinjtë e tjerë që përfunduan praktikën me sukses, do mund të tërheqin certifikatat e tyre pranë institucioneve ku kanë zhvilluar praktiken e punës.
Ky program ofron përvojë kualifikuese tremujore në Shqipëri, duke iu mundësuar të rinjve 21-26 vjeç, të diplomuar së paku në nivelin e studimeve Bachelor, të njihen me tregun e punës dhe të fitojnë eksperiencën minimale pranë një institucioni qendror, njësie bashkiake, institucioni të pavarur apo shoqërie tregtare.
Nëpërmjet kësaj përvoje kualifikuese në zhvillimin e mëtejshëm të aftësive profesionale, akademike dhe personale, Muzhaqi tha se të rinjve do iu vlejë si një eksperiencë pune në çdo aplikim tuajin.
Kurse ministrja e Arsimit dhe Sportit tha se nga ky program ka vetëm të fituar dhe asnjë humbës.
“Nga njëra anë të rinjtë e të rejat kanë mundësi që të ushtrojnë në praktikë njohuritë teorike të marra gjatë universitetit. Nga ana tjetër komunikojnë me profesionistë të fushave të caktuara”, tha Kushi drejtuar të rinjve pjesëmarrës në këtë ceremoni.
Në gjashtë thirrjet e para kanë aplikuar 18 mijë e 211 të rinj dhe janë zhvilluar 3 mijë e 618 praktika tremujore të suksesshme. Ndërsa janë 1 mijë e 252 të rinj të punësuar me kontratë 1-vjeçare, që nga viti 2014.
Plani Kombëtar i Praktikave të Punës ka lindur si iniciative e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS) duke u pasuar nga Ministri i Shteti për Rininë dhe Fëmijët për fazën finale.
Në përmbyllje, Muzhaqi njoftoi se së shpejti do të hapet Thirrja e Shtatë e Programit të Praktikave, ndaj ka ftuar studentët të ndajnë këtë përvojë me miqtë e tyre që edhe ata të përfshihen si praktikantë në institucione të ndryshme publike dhe private.
Do të jetë MSHR-ja e cila do të koordinojë tërësisht Thirrjen e Shtatë të Praktikave të Punës, për të cilën Muzhaqi tha se ka filluar negociatat edhe me kompanitë private në Shqipëri. Gjatë fazës së parë të këtij programi, të rinjtë do të realizojnë detyra dhe angazhime në institucionet përkatëse, bazuar në një plan pune tremujor.