Programi i Kodimit

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Zhvillimi i aftësive teknologjike është kthyer tashmë në një domosdoshmëri për brezat e rinj dhe këto zhvillime të vrullshme në teknologji shoqërohen gjithashtu me masa në kuadër të këtyre ndryshimeve. Falë zhvillimit të qasjes ndaj teknologjisë, format tradicionale të edukimit kërkojnë kohë për të përgatitur të rinj të kualifikuar në fushën e teknologjisë, prandaj qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë masash për të zhvilluar një metodë efikase për edukimin dhe profesionalizimin e të rinjve shqiptarë në botën e teknologjisë. Një ndër këto masa është nxitja e aftësive koduese për të rinjtë, pjesë e zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029.

Këshilli i Ministrave miratoi në tetor 2022, vendimin nr. 646, datë 5.10.2022 “Për procedurat, kriteret dhe rregullat për zbatimin e programeve të formimit profesional nëpërmjet mbështetjes financiare të ofruar, sipas procedurave të konkurimit, për kurset e formimit profesional të organizuara nga institucionet e formimit profesional, publike apo private”.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë nxori Udhëzimin Nr.1, datë 10.01.2023 “Për përcaktimin e programeve të formimit profesional që përfitojnë nga mbështetja financiare,  për vitin 2023”, ku përcaktohet se  mbështetja financiare për vitin 2023 do të ofrohet  për programet e formimit profesional në fushën “Programim”.

Programi i Kodimit, i cili hapi aplikimet në 23 janar të vitit 2023, implementohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë nëpërmjet institucionit zbatues Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësimit (AKPA). Në kuadër të Programit të Kodimit, për të gjithë të rinjtë e apasionuar pas teknologjisë dhe që kanë nevojë për trajnime të mëtejshme për të thelluar njohuritë, apo edhe për ata që duan të ndryshojnë orientimin e tyre në karrierë, ofrohen tashmë kurse të zhvillimit profesional me mbështetje financiare nga qeveria shqiptare në vlerën 150 mijë lekë për punëkërkuesit, dhe në vlerën 300 mijë lekë për të papunët, , ndërsa për personat me aftësi të kufizuara, përtej mbështetjes për individët që duan të jenë pjesë e kurseve, ka dhe një mbështetje shtesë në vlerën 200 mijë lekë për të siguruar që të kenë akses të barabartë në këto mundësi.

Ky program është i hapur për cdokënd nga mosha 16 vjeç e lart, qoftë për nxënës, studentë, të punësuar, apo të papunë dhe nuk kërkon njohuri të mëparshme në fushën që kërkohet të vijohet kursi profesional. Megjithatë për t’u pranuar si pjesë e kurseve të kodimit, cilido i interesuar duhet të bëhet pjesë e një testimi logjik sipas kritereve të akademisë së kodimit që ka përzgjedhur me qëllim përfitimin e kursit të formimit profesional.

Deri më tani kurset mundësohen nga katër akademi kodimi me eksperiencë në treg dhe që janë njëkohësisht të miratuara nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA), siç janë: Albania ICT Academy, Betaplan Coding Bootcamps, Holberton School dhe Sofware Development Academy by Protik. Kurset kanë një kohëzgjatje prej 3-12 muaj, por zhvillohen me format intensiv mësimi teorik dhe praktik, dhe përfshijnë një larmishmëri fushash, të tilla si: programim kompjuterik, zhvillim i aplikacioneve, robotikë, elektronikë, shkenca të të dhënave, siguri kibernetike, inteligjencë artificiale, testim i faqeve web, dizajn i faqeve web, dizajn i përvojës së përdoruesit, dizajn i ndërfaqes së përdoruesit, mësim makinerik/automatik, realiteti i shtuar, realiteti virtual,  algoritmet kompjuterike, apo fusha të tjera të ngjashme.

Qëllim i këtij programi është të aftësojë të rinjtë për tregun e punës, por jo vetëm. Programi synon gjithashtu të ndërlidhë të rinjtë me tregun e punës, për të thjeshtëzuar bashkëveprimin mes profilizimit të të rinjve e punësimit të tyre.

Aplikimet për Programin e Kodimit vazhdojnë të jenë të hapura në portalin qeveritar e-Albania në shërbimin ‘Aplikim për kursin e formimit profesional me mbështetje financiare’, në link-un e mëposhtëm:

https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=15126

Informacion i mëtejshëm për këtë program mund të gjendet dhe në faqen e AKPA, në linkun bashkëlidhur:

https://akpa.gov.al/kurse-me-mbeshtetje-financiare/