Publikuar më: 09/12/2023
UNDER 30 në parkingun nëntokësor të Sheshit Skënderbej, Muzhaqi: “Mundësi dhe argëtim për të rinjtë”
Një event special u organizua me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë nga Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët. Qindra organizata, institucione, startup-e, biznese, universitete që punojnë me të rinjtë ose që drejtohen prej tyre, “u parkuan” ditën e djeshme, datë 9 dhjetor, në parkingun nëntokësor të Sheshit Skënderbej. Eventi “Under 30” (<30), nën kujdesin e veçantë të ministres Bora Muzhaqi dhe me partneritetin e aktorëve më të rëndësishëm në fushën e shërbimeve për të rinjtë, mblodhi qindra syresh nën 30 vjeç, të cilët vizituan stendat me informacione të vlefshme për ta, duke krijuar një hapësirë për ndërveprim dhe bashkëpunim. Nga ora 12 e drekës dhe deri në orën 5 të pasdites, të rinjtë u prezantuan me mundësi të pafundme edukimi, trajnimi e punësimi, si edhe ndoqën më tej panele interesante diskutimi. Gjatë eventit nuk munguan arti, ekspozitat, aktivitetet e performancat artistike, por as sportet, si climbing, bilardo, basket, palestër, padel, shah e ping pong. Dhe për ta mbyllur eventin me po aq energji dhe entuziasëm sa filloi, të rinjtë e pranishëm shijuan performancat e dixhejve më të dashur e më në zë të momentit, si Ad Disha, Leo Ciko, Tatu, dhe DJ J. Eventi synon të nxisë aktivizimin dhe fuqizimin e të rinjve si dhe të rrisë përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Rinisë 2022-2029. Në fjalën e saj përshëndetëse dhe gjatë paneleve të diskutimit ministrja Muzhaqi theksoi rëndësinë e angazhimit të të rinjve në aktivitete të tilla dhe bashkëpunimin me ndërkombëtarët, për të ofruar më të mirën për të rinjtë. “Gëzuar Ditën Kombëtare të Rinisë”, uroi ministrja Muzhaqi, e cila vijoi: “Sot kemi mbledhur ndër aktorët më të rëndësishëm që ofrojnë shërbime për të rinjtë për t’i njohur ata me mundësitë reale, por njëkohësisht në çdo kënd zhvillohen aktivitete interesante për të rinjtë. Sot kemi të ftuar edhe aktorë ndërkombëtarë për të folur rreth rëndësisë së bashkëpunimit të vazhdueshëm që ne kemi dhe si ndikon ajo në mirëqenien e të rinjve.” Delegacioni i Bashkimit Evropian, mbështetës i këtij eventi, ishte përfaqësuar mirë me programe dhe projekte të shumta. BE po krijon mundësi të reja për të rinjtë shqiptarë përmes arsimit, shkëmbimeve e përmirësimit të aftësive, zbatuar kryesisht nga projekte si “BE për Përfshirjen Sociale në Shqipëri”.
Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, i pranishëm në këtë event, vizitoi stendat dhe iu drejtua qindra të rinjve shqiptarë, duke theksuar shumëllojshmërinë e programeve të BE-së në mbështetje të rinisë së vendit. “Shumë krenar kur shoh se mbështetja jonë për brezat e ardhshëm të Shqipërisë është duke patur ndikim. Ne synojmë të sjellim përfitimet e të qenit pjesë e BE-së këtu dhe tani. #EvropaËshtëKëtu dhe do të vazhdojë të qëndrojë me të rinjtë e këtij vendi. Mezi pres të takoj më shumë të rinj shqiptarë për të dëgjuar idetë dhe shqetësimet e tyre”, u shpreh ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato. GIZ, një tjetër mbështetës i këtij eventi, ishte i përfaqësuar nga Drejtoresha e Përgjithshme, Sonja Kurz.
Të rinjtë e Programit Supershkollat të GIZ dhe RYCO, që realizon Programin në të gjithë Ballkanine Perëndimor, vendosën në skenë një shfaqje për barazinë gjinore me temë “Cili është roli im?”. Prezent në diskutime e panele ishin edhe ambasadori gjerman, Drejtori i Bankës Botërore, Nënkryetarja e Bashkisë, përfaqësues nga UNDP, UNICEF, GIZ dhe RYCO duke plotësuar ofertën e informacionit për të rinjtë. “Under 30” rezultoi, siç edhe e kishin parashikuar ideatorët dhe organizatorët e tij, një spektakël idesh e një event jashtë kornizave, energjik e dinamik, ashtu siç janë edhe vetë të rinjtë.