Publikuar më: 18/10/2024
Shkolla Rinore për Edukimin Financiar
Në datat 5-6 tetor 2024, u organizua “Shkolla Rinore për Edukimin Financiar”, në ambientet e selisë nr. 2 të Bankës së Shqipërisë, me pjesëmarrjen e rreth 60 të rinjve gjimnazistë nga qarqet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Aktiviteti dyditor u organizua në kuadër të nismës së Qeverisë Shqiptare për përmirësimin e edukimit financiar në arsimin parauniversitar nga Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Bankën e Shqipërisë dhe aktorë të tjerë. Programi edukues synoi t’i ndihmojë të rinjtë të përvetësojnë aftësi të qëndrueshme financiare. Bazuar në impaktin dhe suksesin e tij, ky program pilot i edukimit financiar për të rinjtë, në të ardhmen, mund të shtrihet në shkallë kombëtare dhe të përfshihet në kurrikulat e shkollave parauniversitare.
Edukimi financiar është thelbësor për t’i ndihmuar të rinjtë të ndërtojnë një marrëdhënie të qëndrueshme me financat që në moshë të hershme. Duke mësuar për kursimet, menaxhimin e parasë dhe shpenzimet, ata bëhen më të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm për vendimet financiare që ndikojnë të ardhmen e tyre. Kjo i ndihmon të shmangin vështirësitë ekonomike dhe të zhvillojnë strategji të qëndrueshme financiare.
Të pranishmit u përshëndetën nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, zj. Bora Muzhaqi. Gjatë fjalës së saj Ministrja Muzhaqi theksoi se” Edukimi financiar për fëmijët dhe të rinjtë është shumë më tepër se thjesht njohuri mbi buxhetin dhe kursimin, ai përfaqëson një themel të rëndësishëm për të ndërtuar të ardhmen e tyre në një botë gjithnjë e më digjitale”. Në një Shqipëri që po ecën me hapa të shpejtë drejt digjitalizimit të shërbimeve publike, vijoi Muzhaqi, është thelbësore që fëmijët dhe të rinjtë të mësojnë të përdorin sisteme të reja financiare, të cilat do të reduktojnë përdorimin e parasë cash dhe do të inkurajojnë përdorimin e aplikacioneve për transaksione. Me mbikëqyrjen e prindërve dhe mbështetjen e institucioneve financiare, ne po ndërtojmë një brez të ri të përgatitur për një treg gjithnjë e më të digjitalizuar”. Sipas Ministres Muzhaqi, “Shkolla Rinore për Edukimin Financiar,” si pjesë e një nisme më të madhe për një program gjithpërfshirës për edukimin financiar në arsimin parauniversitar na jep mundësinë të cojmë përpara edukimin financiar për të rinjtë duke filluar nga menaxhimi i kursimeve dhe shpenzimeve deri te përdorimi i platformave digjitale për financat personale.
Guvernatori u shpreh se angazhimi i Bankës së Shqipërisë në fushën e edukimit financiar ka nisur herët dhe ka pasur një rritje konstante, me një gamë të gjerë produktesh e programesh edukative dedikuar grup-moshave të ndryshme, e kryesisht brezit të ri. Ai veçoi modulin me zgjedhje të lirë “Financat personale në duart tuaja”, i cili është pjesë e kurrikulës mësimore që në vitin 2011 dhe mund të zgjidhet nga gjimnazistët në çdonjërin prej 3 viteve të shkollës së mesme, ku deri më sot, janë shpërndarë rreth 100 000 kopje të këtij teksti shkollor tërësisht falas, në të gjithë vendin. Ai theksoi se për bankën qendrore, edukimi financiar i të rinjve luan një rol vendimtar në rritjen e mbrojtjes financiare të tyre si konsumatorë të ardhshëm, dhe investimi i koordinuar i institucioneve tona në këtë fushë jo vetëm sjell benefite për individët, por edhe promovon një ekosistem financiar më të shëndetshëm. Një i ri i pajisur me kulturë financiare ka njohuritë e nevojshme për të marrë vendime të shëndosha financiare dhe kjo çon në një qëndrueshmëri më të lartë karshi ngjarjeve të paparashikueshme të jetës.
Aktiviteti vijoi me diskutimin e temave kryesore si: roli i Bankës së Shqipërisë dhe edukimi financiar, menaxhimi i kursimeve dhe shpenzimeve, ndërtimi i një marrëdhënie pozitive me paratë, karriera në fushën e financave, etj.
Në përfundim të programit dyditor, u organizua ceremonia e certifikimit, ku gjimnazistëve pjesëmarrës iu shpërndanë certifikata për përfundimin me sukses të seminareve.