Publikuar më: 03/07/2025
RinCamp 2025, Ministrja Bora Muzhaqi: “Në qendër të vëmendjes, shëndeti mendor i të rinjve”

Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe Agjencia Kombëtare e Rinisë nisën kampin veror RinCamp 2025, i cili po zhvillohet në Jalë nga data 2 deri më 6 korrik. Ky kamp, tashmë një traditë e përvitshme, mbledh 100 të rinj nga e githë Shqipëria dhe shërben si një platformë e mirë për të rritur socializimin dhe ndërveprimin rinor, përmes shkëmbimit të përvojave, përfshirjes në trajnime dhe aktivitete që fuqizojnë aftësitë e tyre personale, emocionale dhe shoqërore. Përmes sesioneve të hapura diskutimi me profesionistë të fushave të ndryshme, si dhe me përfaqësues të pushtetit vendor dhe të institucioneve qendrore, RinCamp 2025 synon të kthehet në një hapësirë frymëzuese ku të rinjtë jo vetëm marrin dije, por edhe japin ide dhe propozime konkrete për përmirësimin e politikave rinore.
Shëndeti mendor është përzgjedhur si tema qendrore e kampit të këtij viti, si një nga çështjet më shqetësuese për brezin e ri. Të rinjtë kanë mundësi që, në mënyrë krejt anonime, të artikulojnë problemin e tyre në një letër, e cila do të trajtohet nga psikologë të ftuar gjatë ditëve të kampit. Kjo nismë synon t’i fuqizojë të rinjtë për të mposhtur frikën dhe për të qenë aktivë në përballimin e problemeve dhe vështirësive që hasin.
Ministrja për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, vlerësoi se ky takim rinor është një moment shumë i mirë për t’u informuar mbi nisma dhe projekte në shërbim të tyre. Mbi të gjitha, ky kamp shërben për të nxitur socializimin mes të rinjve nga e gjithë Shqipëria, çka mund të përkthehet në nisma rajonale rinore mes tyre.
RinCamp 2025 vjen si pjesë e një sërë nismash dhe programesh të ndërmarra nga Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe Agjencia Kombëtare e Rinisë, që synojnë fuqizimin e të rinjve dhe përfshirjen e tyre aktive në zhvillimet shoqërore, arsimore dhe ekonomike të vendit.
Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët ka kaluar së fundmi në Këshillin e Ministrave ndryshimet në Programin Kombëtar të Praktikave të Punës. Këto ndryshime ndërtojnë një platformë të konsoliduar për integrimin e të rinjve në administratën shtetërore dhe trajtimin financiar të tyre. Programe të tjera të rëndësishme si Programi i Nismave Komunitare dhe ai i Talenteve kanë marrë udhë dhe janë një investim shumë i rëndësishëm për zhvillimin dhe fuqizimin e të rinjve.
RinCamp 2025 mbetet një shembull i mirë se si institucionet mund të krijojnë ura komunikimi të vërtetë me brezin e ri, duke e vlerësuar si partner strategjik në ndërtimin e një Shqipërie më të fortë, më të shëndetshme dhe më të përfshirë për të gjithë.