Publikuar më: 17/05/2022

Qeveria Shqiptare dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim mbështesin kodimin që në klasë të parë dhe ndërtimin e 100 laboratorëve SMART

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Qeveria Shqiptare dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) kanë nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit me qëllim futjen e lëndës së teknologjisë së informacionit dhe kodimit në klasat e para deri në klasat e treta në shkollat publike të vendit.

Përmes kontributit të përbashkët do të mbështetet ndërtimi i 100 laboratorëve SMART në 100 shkolla publike të ciklit fillor të vendit përpara nisjes së vitit shkollor 2022/23, do të mbështetet hartimi i kurrikulave të reja të TIK-ut për klasat e I, II, III të ciklit fillor në shkallë vendi, sigurohet platforma plotësuese online për të mbështetur mësimdhënien dhe trajnimi i mësuesve të TIK-ut përgjatë katër viteve.

Synimi i Qeverisë Shqiptare është që pas pilotimit në vitin e parë, të zgjerohet shtrirja e tij në të gjithë shkollat publike të ciklit të ulët të vendit.

Ky projekt është hartuar në bashkëpunim mes Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).

Gjatë eventit ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, u shpreh se përmes kësaj nisme, pritet të përfitojnë, që në muajin shtator, mbi 7000 nxënës të klasës së parë në 100 shkollat e përzgjedhura, përmes programeve dhe kushteve mësimore të krahasueshme me bashkëmoshatarët e tyre në vendet më të zhvilluara evropiane.