Publikuar më: 07/11/2023
Projekt-buxheti 2024, Muzhaqi: 7000 të rinj përfitues nga 25 bashki nga thirrja e dytë për projekte rinore, dhe 106,882 të rinj përfitues nga investimet infrastrukturore per hapsira rinore ne 5 bashki
Ditën e sotme, Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi në kuadër të raportimeve në komisione për projekt-buxhetin e 2024, raportoi pranë Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit publik për buxhetin e vitit 2024 për rininë.
Ajo deklaroi se, “në projekt-buxhetin e vitit 2024 janë planifikuar 215 milionë e 954 mijë lekë mbështetje për rininë që do të zbatohen nëpërmjet thirrjes së katërt të Agjencisë Kombëtare të Rinisë për projekte rinore, ku parashikohet edhe përmirësimi i infrastrukturës rinore si qendra rinore, biblioteka apo hapësira për të rinjtë”.
Më tej Muzhaqi shtoi se ka pasur dy cikle thirrjesh për projekt-propozime me metodologjinë LOD, metodologji e përdorur nga BE dhe OKB.
“Në kuadër të thirrjes së dytë për projekt-propozime rinore, janë shpallur fituese 24 projekte rinore të cilët kanë përfitues të drejtëpërdrejtë 7000 të rinj në të gjithë territorin shqiptar. Përsa i përket infrastrukturës rinore, në Durrës, Gjirokastër, Lushnje, Dibër dhe Kamëz janë ndërtuar biblioteka dhe ambiente rinore prej të cilave përfitojnë mbi 106,882 të rinj” tha Muzhaqi.
Gjatë relatimit, ministrja Muzhaqi theksoi se në thirrjen e tretë për projekt-propozime rinore janë shpallur fituese 23 projekte, 3 prej të cilave mbështeten nga donatorët, UNICEF, UNDP dhe UNFPA.
Konkretisht, Muzhaqi tha se projektbuxheti i vitit 2024, reflekton një rritje prej 33% krahasuar me buxhetin e vitit 2023 dhe 34% rritje krahasuar me buxhetin e vitit 2022 duke krijuar kështu mundësinë që të zbatojmë angazhimet e parashikuara në Strategjinë Kombëtare të Rinisë për vitin 2024 lidhur me detyrat funksionale të Agjencisë Kombëtare të Rinisë.