Publikuar më: 20/04/2024
Panair për të rinjtë në Berat, Muzhaqi: Mundësi trajnimi dhe punësimi
Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi organizoi në Berat Panairin e Edukimit, Trajnimit dhe Punësimit me praninë e shkollave të mesme dhe ato profesionale, biznese lokale e kombëtare, organizata dhe ofrues shërbimesh për të rinjtë.
Për sa i përket pjesëmarrjes së të rinjve në panair, ministrja Bora Muzhaqi tha se “Berati ka të rinj kaq aktiv dhe kaq të interesuar për të mësuar çdo mundësi që është në dispozicionin e tyre”.
Në panair u ekspozuan punimet më të mira të nxënësve të shkollës profesionale, të punuara me metal dhe materiale elektrike, për të nxitur kështu bashkëmoshatarët e tyre për t’u orientuar drejt profesioneve, si dhe bizneset e pranishme kishin sjellë ofertat e tyre më të reja të punësimit për të rinjtë.
Ndërkohë që në një kënd të panairit ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Forcave të Armatosura, të cilët u konsultuan me të rinjtë në lidhje me benefitet që u ofrohen atyre nëse zgjedhin të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura Ushtarake.
Ministrja Muzhaqi foli rreth rëndësisë së këtij panairi, si mënyra më e mirë për t’i nxitur të rinjtë drejt punësimit.
“Ky panair bëhet në kuadër të informimit të të rinjve shqiptarë. Kemi lëvizur në çdo qytet të Shqipërisë dhe sot jemi në Berat dhe si zakonisht që Berati ka të rinj kaq aktiv dhe kaq të interesuar për të mësuar çdo mundësi që është në dispozicionin e tyre. Panairi ishte shumë i bukur, por pjesa që i bën më të bukur panairet është sigurisht interesi nga të rinjtë dhe ajo çfarë të bën përshtypje në Berat është interesi i lartë që të rinjtë kanë treguar, jo vetëm nga gjimnazet, por edhe nga ata që janë pak më të rritur, që janë profesionistë të rinj që vijnë për të gjetur ndoshta atë punën e tyre të re apo për të zhvilluar aftësitë e tyre më tej”, theksoi Muzhaqi.