Publikuar më: 12/09/2022

Nis zbatimin i pari program kodimi në Shqipëri për fëmijët që në klasë të parë

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Me fillimin e vitit të ri shkollor nisi edhe zbatimi i kurikulës së kodimit në klasa të para, në të paktën 100 shkolla të arsimit bazë publik të vendit që janë të pajisura me laborator të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Ka qenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bashkë me ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, dhe drejtoreshën e Inovacionit pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Inovacionit, Romina Kostani, të cilët kanë prezantuar këtë risi nga inaugurimi i laboratorit digjital, në shkollën 9-vjeçare “Jeronim De Rada”.

Pjesë e këtij eventi ishin përfaqësues nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nxënës të kësaj shkolle të cilët janë përfituesit e drejtpërdrejtë të këtij projekti të ri në Shqipëri, mësues e përfaqësues të ndryshëm të institucioneve respektive.

Angazhimi i ministres përgjegjëse për Rininë dhe Fëmijët në këtë projekt, i cili do të nisë me testimin e tij përgjatë tre viteve shkollore të para deri në zgjerimin e projektit në nivel kombëtar, është konfirmuar që me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes Qeverisë Shqiptare dhe AADF-së, në maj të këtij viti, për krijimin e 100 laboratorëve SMART.

Sipas Muzhaqit, “këta fëmijë do të hapin rrugën për Shqipërinë e Teknologjisë”, ku fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë do mund të konkurrojnë me bashkëmoshatarët e tyre evropianë.

Ky program do të zbatohet nga Qeveria shqiptare në bashkëpunim me AADF-në, të cilët do të sigurojnë që të gjithë njohuritë që përfshihen si pjesë e kurikulës, që të jenë në linjë me kërkesat e një tregu gjithmonë e në zhvillim. Ndërsa synon që fëmijët të zhvillojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre për të përdorur teknologjinë në mënyrë kuptimplotë dhe produktive, jo thjesht përdorues pasiv.