Publikuar më: 26/08/2024
Muzhaqi: Shkëmbimi Kulturor Shqipëri-Kosovë: Forcimi i Lidhjeve Rinore dhe Ruajtja e Trashëgimisë Kulturore
Ministrja për Rininë dhe Fëmijet, Bora Muzhaqi beson se se të rinjtë kanë një rol thelbësor për të luajtur në mbrojtjen dhe transmetimin e vlerave të trashëgimisë kulturore mes Shqipërisë dhe Kosovës, si një nga pasuritë më të cmuara që na është lënë nga paraardhësit tanë. Në takimin e organizuar me këtë rast mes të rinjëve nga Shqipëria dhe Kosova, Ministrja Muzhaqi i inkurajoi ata që të njohin, mbrojnë dhe transmetojnë vlerat e përbashkëta të trashëgimisë kulturore mes dy vendeve tona si një vlerë e rëndësishme identitare.
Këto mesazhe Ministrja Muzhaqi i dha në takimin “Trashëgimia dje, sot dhe nesër” i cili synon ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësinë e trashëgimisë kulturore si pjesë kyçe e identitetit kombëtar. Shkëmbimi kulturor kishte për qëllim të festonte dhe të forconte lidhjet midis të rinjve të dy vendeve, duke thelluar njohuritë e tyre mbi trashëgiminë e përbashkët kulturore. Të rinjtë patën mundësinë të mësojnë më shumë mbi vlerat e trashëgimisë që na bashkon, duke u angazhuar në diskutime të frytshme dhe aktivitete kulturore që nxitën lidhjet mes tyre. Takimi u organizua në ambientet e Agjencisë Kombëtare të Rinisë (AKR), me pjesëmarrjen e drejtorit të përgjithshëm të AKR-së, Geron Ibrahimi, dhe drejtorit të Departamentit të Rinisë pranë MKRS-së së Kosovës, Xhevat Bajrami. Ky takim i parapriu dhe ceremonisë përmbyllëse në të cilën personalitetet theksuan rolin e të rinjëve në mbrojtjen dhe transmetimin e vlerave të pasurisë kulturore dhe vlerësuan këtë projekt si shumë të rëndësishëm në kuadër të rritjes së bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve.