Publikuar më: 26/02/2024

Muzhaqi: Nga ky vit, mbështetje financiare për të rinjtë që marrin pjesë në praktikat e punës! ‘Bilanci’ i Strategjisë për Rininë

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Të rinjtë që do të përzgjidhen në Programin e Praktikave të Punës, të financuara nga qeveria shqiptare, do të përfitojnë edhe një mbështetje financiare. Në 1 vjetorin e zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi tha se risia këtë vit vjen për të gjithë ata që do të zhvillojnë praktika në institucione publike, shoqëri tregtare apo organizata jo-fitimprurëse.

“Lajmi i mirë për të gjithë praktikantët e ardhshëm, që vjen në fakt falë lobimit të bashkëmoshatarëve që kanë përfituar nga ky program në të shkuarën, si dhe mbështetjes së pafundme të Kryeministrit për të rinjtë, është që duke filluar nga vitit 2024, ky program do të vijë edhe me një komponent mbështetje financiare për këdo që zhvillon praktikën në institucionet publike”, tha Muzhaqi.

Ndalur në shifra, Muzhaqi tha se 1700 të rinj kanë përfituar nga Programi i Praktikave të Punës. Nga kjo praktikë përfitojnë të rinjtë e sapodiplomuar të moshave 21 deri në 26 vjeç.

“Me anë të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, kemi arritur tek të rinjtë e sapodiplomuar nga mosha 21 deri në 26 vjeç, duke i ofruar mundësitë e para të punës nëpërmjet praktikave në institucione publike, shoqëri tregtare dhe organizata jo-fitimprurëse. I kemi hapur dyert të rinjve duke ofruar mbi 1700 pozicione praktikash për të filluar eksperiencën e tyre të parë të punës”, tha Muzhaqi.

Në aktivitetin “Rinia 2030’ ishte i pranishëm edhe ambasadori i delegacionit të BE-së, Silvio Gonzatoi cili tha se BE ka dhënë 24 milionë euro në projektin e praktikave të punës, teksa u shpreh se Shqipëria duhet të rivendosë besimin tek institucionet, tek sistemi i drejtësisë pasi vetëm kështu të rinjtë ndihen të barabartë.

“Në rast se Shqipëria nuk zhvillohet atëherë të rinjtë do largohen. Shumë janë larguar, por nëse u ofrohet mundësia do kthehen në Shqipëri. Kam mësuar se shqiptarët duan të shikojnë një të ardhme të Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota në BE. Strategjia jep kuadrin e duhur për politikat tona, por parakushti është që ne të rivendosim besimin tek institucionet, tek sistemi i drejtësisë, besim tek fakti që në Shqipëri, merita dhe profesionalizmi shpërblehen, të rinjtë duhet të kuptojnë se në rast se punojnë fort përpjekjet e tyre do japin fryte”, tha Gonzato.
Mbështetjen e rinisë shqiptare e tregoi edhe njëherë edhe koordinatorja e OKB-së Fiona McCluney, e cila tha se është shumë e rëndësishme që të rinjtë të bëhen pjesë e paneleve të diskutimit në tryezat e përbashkëta me vendimmarrësit.

“Një nga prioritetet e këtij viti të sekretarit të përgjithshëm të shikojmë qeveritë që të kenë këshillat rinore, parlamentarët rinorë të rinjtë një vend në tavolinë, të kenë të drejtën e votës në buxhetin vendorë. Të kuptojnë që janë pjesë e këtij tranzicioni. Ai shikon të rinjtë si aktor kryesorë, të largojë perceptimin që të rinjve nuk u besohet. Të kemi një qasje pozitive dhe konstruktive këto janë hapat e parë në botë”, tha ajo.

Muzhaqi gjatë analizës së punës për Strategjinë Kombëtare për Rininë 2022-2029 ndër të tjera tha se janë ngritur 61 këshilla vendorë rinor, si edhe janë mbështetur 47 organizata rinore me projekte rinore të zbatuara në gjithë Shqipërinë. Këto për të fuqizuar të rinjtë në përfshirje dhe vendimmarrje.