Publikuar më: 26/08/2024

Muzhaqi në Elbasan: “Upshift për Shëndetin Mendor dhe Mirëqenien”. Teknologjia dhe Ndërveprimi i të Rinjve në Fokus

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Ministrja për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi mori pjesë në takimin e radhës të “Upshift për Shëndetin Mendor dhe Mirëqënien”, i cili u zhvillua në shkollën profesionale “Salih Ceka” në Elbasan. Në program u angazhuan 11 grupe të rinjsh që paraqitën ide kreative për adresimin e çështjeve të shëndetit mendor, tre prej të cilave u shpallën fitues për të cuar përpara dhe realizuar idetë e tyre me mbështetjen e fondit të Upshift.

Aktiviteti, gjithashtu ofroi mundësi për të rinjtë që të njihen më nga afër me mundësitë e arsimit profesional të ofruara nga shkolla “Salih Ceka,” një përpjekje kjo e rëndësishme në kuadër të prioriteteve të qeverisë për rritjen e punësimit dhe përgatitjen e një fuqie punëtore konkurruese. Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Muzhaqi theksoi rëndësinë e këtyre iniciativave dhe inkurajoi të gjithë të rinjtë të aplikojnë për regjistrim në shkollat profesionale përmes e-Albania, me aplikimet që janë të hapura deri më 30 shtator.

Më herët, u organizua një takim me mbështetësit dhe promovuesit e të programit UPSHIFT. Ky takim u fokusua në diskutimin e mënyrave se si UPSHIFT vijon të sjellë vlera dhe ndikim tek të rinjtë, duke eksploruar përdorimin e teknologjisë në mënyrë që të ruhet ndërveprimi mes tyre. Gjithashtu, u diskutua rëndësia e bashkëpunimit me institucione, sektorin privat, akademinë dhe të rinjtë vetë, për të siguruar që ata të mbështeten kudo ku ndodhen.

Në këtë diskutim morën pjesë ekspertë të fushave të ndryshme. Diskutimet e tyre synuan të sjellin një qasje gjithpërfshirëse dhe inovatore për programin UPSHIFT, me qëllim që të krijohen mundësi të reja për të rinjtë, duke integruar teknologjinë dhe inovacionin në një mënyrë që forcon ndërveprimin dhe bashkëpunimin mes tyre.