Publikuar më: 12/04/2024

Muzhaqi: Me rëndësi edukimi i të rinjve për menaxhimin e parasë! 4,027 të rinj u trajnuan gjatë vitit 2023

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Ministrja për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi organizoi në një aktivitet me fokus ‘Edukimin Financiar e mbrojtjen e parave’. Në fjalën e saj, Ministrja Muzhaqi e vuri theksin tek rëndësia për edukimin financar të fëmijëve dhe të rinjve.

Muzhaqi u shpreh se është e rëndësishme që të edukohet brezi i ri, më qëllim që ata të marrin vemdime të zgjuara financiare, por edhe të bëhen të pavarur financiarisht.

“Në vijim të javës globale të parasë, ku fokusi është te trajnimi dhe ndërgjegjësimi i të rinjve, këtë herë mblidhemi së bashku me një pjesë të madhe të aktorëve të sektorit financiar për të diskutuar se si të gjithë bashkë mund të bëjmë më shumë për të edukuar brezin e ri për të marrë vendime të mençura financiare dhe për tu bërë të pavarur financiarisht”, u shpreh Muzhaqi.
Ministrja u ndal edhe në programet e edukimit në arsimin parauniveristar, gjimnaz, por edhe në universitet.

“Në klasën e 7-të me anë të programit “Ekonomi për sukses” që zgjat 6 javë dhe zhvillohet në shkollë, nxënësit njihen me thelbin e një jete ekonomikisht të suksesshme që përfshijnë zgjedhjen e karrierës së duhur dhe menaxhimin e mençur të parasë. Ky modul zhvillon njohuritë e nxënësve për të ardhurat personale – përfshirë buxhetimin efektiv, përdorimin në mënyrë të zgjuar të të ardhurave dhe zvogëlimin e riskut, për të mësuar aftësi të forta të menaxhimit financiar, pavarsisht nga të ardhurat. Ndër të tjera nxënësit mësojnë mbi buxhetin, kredinë, sigurimin, vendimmarrjen, të ardhurat, interesat, rrezikun dhe botën e punës”, u shpreh Ministrja Muzhaqi.

Sa i takon gjimanzit, Muzhaqi tha se 4,027 të rinj janë trajnuar me programet dhe modulet e financave personale gjatë vitit të shkuar.

“Ndërsa në gjimnaz me anë të modulit “Financat Personale” që zgjat për 18 javë dhe përqëndrohet te rëndësia e planifikimit si dhe vendimmarrjes së kujdesshme në kontekstin e vendimeve financiare personale. Nëpërmjet trajtimit të temave të ndryshme që lidhen me financat që përfshijnë buxhetimin, zgjedhjet financiare, sigurimin, investimet, kursimet dhe shpenzimet, të rinjtë mësojnë të analizojnë informacionin, të kategorizojnë të dhënat, si dhe të bëjnë planifikim financiar”, vijoi Muzhaqi.

Ndërkohë, në Universitete edukimi financiar realziohet përmes debateve, n ëtë cilat janë përfshirë 485 të rinj gjatë vitit të shkuar.

“Në universitete zbatohet moduli “Debatojmë Ekonominë” i cili ka fokus që nëpërmjet debateve të mund të zhvillojë më tej aftësitë e të rinjve mbi ekonominë, financën dhe zhvillimin e brezit të ardhshëm të të rinjve të mirëartikuluar dhe të përgatitur për fusha të ndryshme. Me anë të këtij programi janë ngritur 14 klube debati dhe janë përfshirë 485 të rinj, gjatë vitit të shkuar”, tha ministrja.

Java Globale e Parasë zhvillohet në 176 shtete. Shqipëria në drejtimin e Bankës së Shqipërisë, ka marrë pjesë që nga viti 2015-të në Javën Globale të Parasë, duke zhvilluar aktivitete edukuese dhe ndërgjegjësuese me të rinjtë.

Gjatë vitit 2024, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shoqatën e Bankave dhe Agjencinë e Sigurimit të Depozitave zhvilluan konkuse, leksione dhe orë mësimore me fokus tek edukimin financiar ku morën pjesë 5,516 nxënës dhe student, nga më shumë se 355 shkolla të të gjitha niveleve.